BotaLajme

Koreja Veriut injoron përpjekjet e SHBA-së për bisedime

Koreja e Veriut iu përgjigj përpjekjeve të SHBA-së për të rinisur negociatat për programin bërthamor, duke thënë se do t’i injorojë ato derisa Uashingtoni nuk e ndryshon qasjen.

“Asnjë dialog nuk është i mundur, nëse SHBA-ja nuk zmbrapset nga politika armiqësore ndaj Koresë së Veriut”, tha ministri i parë i Jashtëm verikorean, Choe Son Hui.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha këtë javë se Uashingtoni ka kontaktuar Phenjanin përmes disa kanaleve, duke filluar nga mesi i shkurtit, porse nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Përpjekjet diplomatike rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut kanë mbetur të bllokuara për rreth dy vjet.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje të zhvillojë marrëdhënie personale me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, por nuk ka arritur të bëjë ndonjë përparim drejt denuklearizimit të shtetit komunist.

Zyrtarët verikoreanë kërkojnë heqjen e sanksioneve ndaj shtetit të tyre, në mënyrë që të fillojë procesi i denuklearizimit, mirëpo SHBA-ja kundërshton një gjë tillë.

Në fillim të këtij viti, Koreja e Veriut ka zbuluar një lloj të ri të raketës balistike, që lëshohet nga nëndetësja.

Media shtetërore e ka përshkruar atë si “armën më të fuqishme në botë”./REL/

Top Channel

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close