
“Çështja për dinarin është ditur qysh moti që Lëvizja Vetëvendosje ka pritur tash e tri vite për ta marrë këtë vendim. Ndërkombëtarët e kanë ditë që nën qeverisjen e VV-së do të merret një vendim i tillë sepse kur kanë qenë në pushtet formacione të tjera, nuk është zbatuar një rregull që është e shkruar. Dinari ilegal në Kosovë është prej kur ka hyrë në fuqi euro”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se vendimi i tyre nuk duhet të jetë problem i madh për bashkësinë ndërkombëtare, pasi sipas tij është vetëm zbatim i ligjit.
“Ne i sigurojmë [bashkësinë ndërkombëtare] që kurrfarë efekti negativ në jetën e serbëve kjo nuk do të ketë. Problemi është tek paraja “kesh” që po iu vjen serbëve me thasë. Disa njerëz pastaj po e lidhin popullatën serbe me këto, me shantazh, me kontroll, ky është problemi, e nuk është problemi që serbët do të mbesin pa pensione e paga. Nuk besoj që do të ketë masa të reja”, është shprehur ai.
Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti, e kjo Rregullore përcakton Euron si valutën e vetme monetare në Kosovë.



