LajmeSport

“Këtë herë do të vendos unë”/ Prapaskenat e takimit të fundit mes Malagos dhe Maldinit, çfarë solli ‘divorcin’ e ish-kapitenit të Milanit me Italinë

“Këtë herë do të vendos unë”. Këto mësohet të kenë qenë fjalët që shënuan përplasjen përfundimtare mes presidentit të FIGC-së, Giovanni Malagò, dhe Paolo Maldinit, në takimin e fundit ballë për ballë mes tyre, përpara largimit të ish-kapitenit të Milanit nga posti i drejtorit teknik të kombëtares italiane

Mandati i Maldinit në krye të strukturës së re të Azzurrëve zgjati vetëm pak më shumë se dy javë. Një projekt që ishte menduar si një pikënisje për një rindërtim afatgjatë të futbollit italian u ndërpre shpejt, pas përplasjeve mbi autonominë e vendimmarrjes dhe zgjedhjen e trajnerit të ri.

Sipas asaj që raporton La Repubblica, pika kryesore e konfliktit ishte kandidatura e Andrea Pirlos për stolin e Italisë. Emri i ish-mesfushorit italian ishte propozuar nga Maldini dhe Leonardo, por u kundërshtua nga Malagò.

Presidenti i FIGC-së kishte shqetësime për këtë zgjedhje, veçanërisht pas polemikave rreth rolit të Pirlos si figurë promovuese e kompanisë ruse të basteve Fonbet, si dhe për shkak të ndryshimit të madh mes pritshmërive fillestare – ku ishin përmendur emra si Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti – dhe alternativës së fundit.

Takimi mes Maldinit dhe Malagòs duket se ishte momenti vendimtar i krizës. Ish-mbrojtësi i Milanit kishte kërkuar një rol me autonomi të gjerë në ndërtimin e projektit të ri, por qëndrimi i presidentit të federatës ishte i qartë: vendimi final për drejtimin e kombëtares i takonte atij.

“Këtë herë do të vendos unë”, mësohet të ketë qenë mesazhi i Malagòs, duke marrë përsipër përgjegjësinë për bllokimin e zgjedhjes së Pirlos.

Për Maldinin, ky ishte sinjali se hapësira e vendimmarrjes që i ishte premtuar në fillim nuk ishte ajo që kishte imagjinuar. Në këto kushte, ai vendosi të largohej, duke marrë me vete edhe Leonardon.

Pas largimit, Maldini dhe Leonardo njoftuan se merrnin përgjegjësinë për zgjedhjet e bëra dhe i jepnin fund bashkëpunimit me kombëtaren italiane.

Kështu, një projekt që synonte të sillte një drejtim të ri për Azzurrët u mbyll për vetëm 16 ditë, duke e lënë sërish FIGC-në përballë detyrës për të gjetur një drejtor teknik dhe një trajner të ri për kombëtaren.

Related Articles

Back to top button
Close
Close