
Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar një nga projektet kryesore të programit të tij për mandatin e dytë – transport publik falas, funksional dhe ekologjik për qytetarët e Tetovës.
Sipas Kasamit, transporti publik në Tetovë dikur ishte jofunksional, por gjatë mandatit të tij të parë është ngritur nga themelet dhe tashmë po zhvillohet me ritme të reja.
Në mandatin e ardhshëm, Kasami paralajmëron modernizim të plotë të këtij sistemi, përmes disa projekteve konkrete:
Blerja e 5 autobusëve dhe 5 minibusëve elektrikë, për zgjerimin e rrjetit urban dhe përfshirjen e fshatrave malorë.
Ndërtimi i një stacioni të ri modern të autobusëve në BU 58, i cili do të jetë funksional, i sigurt dhe i integruar me rrjetin publik të transportit.
Krijimi i korsive të veçanta për transport publik dhe biçikleta në bulevardet kryesore të qytetit.
Vendosja e nënstacioneve “ECO – Green” në pikat më të ngarkuara për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Transporti publik do të jetë falas për të gjithë qytetarët e Tetovës.
“Tetovën e kemi nxjerrë nga gremina dhe e kemi sjellë në dritë. Tani është koha ta çojmë në nivelin e një qyteti evropian. Rruga përpara është vetëm një – me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, edhe më mirë, edhe më shumë, edhe më fuqishëm!” – theksoi Kasami.
Ky premtim, siç u shpreh ai, synon të lehtësojë jetën e qytetarëve, të ulë ndotjen dhe të bëjë Tetovën një model të qytetit të gjelbër dhe të lëvizshmërisë moderne.



