LajmeRajon

Kapen në pritë duke u përgatitur të kryenin një vrasje, arrestohen 5 persona në Sarandë

Pesë persona janë vënë në pranga nga policia në Sarandë duke sjellë parandalimin e një ngjarje të mundshme kriminale.

Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se këta shtetas kishin ardhur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje.

Arrestimi i tyre ka ardhur pasi sipas njoftimit të policisë kishin dalë në pritë të armatosur në një zonë pa ndriçim në fshatin Gjashtë.

Dy prej të arrestuarve u kapën në vendin e ngjarjes ku kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë. Ndërsa, tre personat e tjerë u arrestuan për moskallëzim të krimit.

Policia gjithashtu ka sekuestruar dy armë zjarri, municion luftarak, 1 silenciator dhe dy automjete.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ndërhynë në kohë, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, dhe vunë në pranga, në fshatin Gjashtë, shtetasit: S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë; A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë. Po gjatë operacionit u vunë në pranga edhe shtetasit: V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë; V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë; F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë.”, thuhet në njoftim.

Nën drejtimin e Prokurorisë, sipas njoftimit, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e objektivit të synuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Related Articles

Back to top button
Close
Close