
“Filtrat parlamentar të garantojnë ligjshmërinë e kandidatëve që procesi të jetë i besueshëm dhe të shmanget një situatë në të cilën disa kandidatë më vonë do të kritikoheshin publikisht për shkak të lidhjeve të dukshme me parti të caktuara politike”, ka thënë drejtori i SHGM-së duke komentuar kandidaturën e Nafie Selmanit për anëtare në Këshillin e ASHMA
Verifikimi i kandidaturave të paraqitura për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audiovizive ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Komisioni parlamentar për emërime ka kaluar në fazën e dytë anëtarë, kandidaturat e të cilëve bien ndesh me Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.
Bëhet fjalë për kandidaturën e Nafie Selmani, këshilltare komunale në Komunën e Çairit nga radhët e Alternativës, njëherësh anëtare e Kryesisë Qendrore deri në vitin 2021 po në partinë Alternativa. Edhe pse kandidatët duhet të noterizojnë Deklaratë se i plotësojnë kushtet dhe se do përgjigjen edhe penalisht nëse gënjejnë, Selmani nuk ka ngurruar të kandidojë dhe të thotë se i plotëson kushtet, edhe pse bie ndesh me nenin 5 të Ligjit për për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.
Pa e përmendur Selmanin me emër, ka qenë anëtarja e Komisionit parlamentar për emërime nga Fronti Evropian, Ilire Dauti ajo që braktisi mbledhjen pasi, siç tha ajo, ka anëtarë – kandidaturat e të cilëve janë në kundërshtim me nenin 5, alinea 3, që thekson se “anëtarë nuk mund të jetë person që, në 10 vitet e kaluara deri ditën kur është shpallur konkursi, kanë qenë ose janë pjesë e organeve partiake”.
“Është e papranueshmë qe kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet, konkretisht që janë politik, të kalojnë filtrat e Komisionit verifikues. Për shkak se nuk dua të bëhem pjesë e politizimit të Agjencisë dhe për shkak se mund të na mbivotoni, do ta braktis mbledhjen”, tha deputetja Dauti.

ANËTARE E KRYESISË QENDRORE DERI NË VITIN 2021
Ndryshe, Nafie Selmani ka qenë anëtare e Kryesisë në Alternative deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje në shenjë pakënaqësie pasi Alternativa si pjesë e Qeverisë LSDM-BDI, nuk kishte gjetur vend për gratë në ekzekutiv. Më pas, në zgjedhjet lokale, ishte kandidate për këshilltare komunale në Çair, detyrë që e kryen edhe sot e kësaj dite.
“Me këtë rast, miqtë e mi, e para së gjithash mbështetësit e mi, i informoj se që në mbledhjen e fundit të Kryesise Qendrore kam dhënë dorëheqje nga çdo rol dhe angazhim në partinë Alternativa! Dhe, një nga arsyet kryesore për dhënien e dorëheqjes time është pikërisht mospërfaqësimi i grave në ekzekutiv!”, kishte shkruar në dhjetor 2021 vet Selmani.
Se ka qenë anëtare e Kryesisë së partisë, shihet edhe nga statuset që kryetari aktual i Parlamentit, Afrim Gashi, në vitin 2020 dhe në 2021, në cilësinë e kryetarit të partisë Alternativa, konfirmonte se zonja Selmani është anëtare e Kryesisë Qendrore. Nafie Selmani në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për deputete bga lista e Vetëvendosjes, e gjashta në radhë në Njësinë e parë zgjedhore, ndërsa para dy cikleve zgjedhore lokale, ishte kandidate e Lëvizjes BESA për kryetare e Qytetit të Shkupit.

“Për anëtarë në Këshill nuk mund të emërohen persona, të cilët kanë qenë pjesë e organeve partiake në 10 vitet e fundit, duke llogaritur ditën e shpalljes së konkursit”, thuhet në alinë 3 të nenit 5 të Ligjit për për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.
REAGON SHGM: TË SHMANGEN ANËTARË QË LIDHEN ME PARTI POLITIKE
Ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Drejtori i SHGM-së, Dragan Sekullovski thotë për KOHA se filtrat parlamentar të garantojnë ligjshmërinë e kandidatëve që procesi të jetë i besueshëm dhe të shmanget një situatë në të cilën disa kandidatë më vonë do të kritikoheshin publikisht për shkak të lidhjeve të dukshme me parti të caktuara politike.
“Të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kriteret ligjore dhe filtrat parlamentar të garantojnë ligjshmërinë e kandidatëve që procesi të jetë i besueshëm dhe të shmanget një situatë në të cilën disa kandidatë më vonë do të kritikoheshin publikisht për shkak të lidhjeve të dukshme me parti të caktuara politike”, u shpreh Sekullovski, ndërsa ka siguruar se debatin publik dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit në Agjenci do ta monitorojë bga afër.
“Shoqata Gazetarëve të Maqedonisë do të monitorojë nga afër pyetjet publike të kandidatëve për Këshillin e Rregullatorit për Media. Është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë transparent dhe të ftohen të gjithë gazetarët dhe palët e tjera të interesit në seancën publike, e cila duhet të transmetohet drejtpërdrejt edhe në kanalin parlamentar të Radio Televizionit të Maqedonisë. Transparenca e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve është parakusht për aplikimin e të ashtuquajturës ‘merit sistem’ në emërimin e kandidatëve më të mirë për këtë rol të rëndësishëm në mandatin e ri”.
Ndërkohë, Komisioni i brendshëm i Sekretarit të Parlamentit e ka kaluar edhe kandidaturën e Afrona Vërzivollit, anëtare e ASH-së së Arben Taravarit. Problematike në kandidaturën e Vërzivollit është emërimi i saj dhe pastaj shkarkimi nga kryerevizore e IPA Fondeve, thonë nga opozita shqiptare.
Opozita konsideron se Vërzivolli është person politik, pasi vet Taravari e ka përmendur si anëtare e ASH-së kur u publikua skandali se e njëjta nuk e kishte licencën e duhur për drejtore në Revizionin e Fondeve IPA.
GJASHTË SHQIPTARË PËR DY VENDE NË KËSHILL
Ndryshe, 27 nga 31 kandidatë gjithsej e kaluan verifikimin e parë, ndërkohë që ditëve në vijim, në Parlament do të organizohet debat publik, ku kandidatët do të ballafaqohen me pyetjet e deputetëve, organizatave mediale dhe organizatave joqeveritare.
Pesë ishin kandidaturat e shqiptarëve për dy anëtarë nga gjithsej shtatë që duhet të zgjidhen në Këshill: Zërijeta Hajro Jajaga, Shaban Dalipi, Afrona Vërzivolli, Nafie Selmani, Arben Saiti, Daut Dauti dhe Selver Ajdini. Ky i fundit, anëtarë aktual në Këshill, u diskualifikua për fazën e dytë, pasi Komisioni parlamentare për emërime konstatoi se i njëjti nuk e kishte dorëzuar shtetësinë me dokumentet e aplikimit.
Emërimi për anëtarë në Këshill konsiderohet vend pune, ndërsa paga mujore arrin në 4 paga mesatare në vend, rreth 140.000 denarë, ose rreth 2400 euro muaji. (koha.mk)



