
Izraeli ka nxjerrë një urdhër ushtarak për konfiskimin e 1.152 dunumëve tokë palestineze (rreth 284 hektarë) në qytetet Sinjil, Al-Labban al-Sharqiya dhe Qaryut në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e shpallur atë “pronë shtetërore”, transmeton Anadolu.
Komisioni Palestinez për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit tha se masa synon zgjerimin e vendbanimit izraelit Karmei Tzur dhe lidhjen e vendbanimeve dhe postblloqeve të ndryshme të kolonëve në këtë zonë.
Sipas komisionit, pronarëve të tokave të prekura u janë dhënë 45 ditë për të paraqitur kundërshtimet e tyre pranë një komiteti ushtarak të apelit në kampin ushtarak Ofer.
Komisioni tha se shpallja e tokave palestineze si “pronë shtetërore” shërben si një mjet për konfiskimin e tokave dhe caktimin e tyre për zgjerimin e vendbanimeve, përfshirë ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës.
Ai gjithashtu tha se toka ndodhet në një zonë strategjike, në të dyja anët e Rrugës 60, mes vendbanimeve izraelite Shiloh dhe Ma’ale Levona dhe pranë postblloqeve të kolonëve Givat Harel dhe Givat Haroeh.
Së bashku me shumicën e vendeve të botës, OKB-ja i konsideron vendbanimet izraelite të ndërtuara në tokat e pushtuara palestineze si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se ato dëmtojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.
Organizata izraelite për të drejtat e njeriut “Paqe Tani” vlerëson se rreth 500.000 kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa rreth 250.000 të tjerë jetojnë në vendbanimet hebraike ekskluzive për hebrenjtë në Kudsin Lindor.



