BotaLajme

Izraeli urdhëron evakuimin e një zone humanitare në Gazë

Ushtria izraelite urdhëroi civilët që të evakuohen përkohësisht nga një pjesë e zonës humanitare në Gazën jugore, përpara, siç tha, një “operacioni të dhunshëm” kundër grupeve të armatosura palestineze.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës – e cila udhëhiqet nga Hamasi, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – tha se të paktën 14 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra, u vranë.

Ajo, gjithashtu, u bëri thirrje banorëve që të dhurojnë gjak në spitalin Naser, në perëndim të Kan Jonisit, për të ndihmuar në trajtimin e numrit të lartë të pacientëve.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi i pari Izraelin në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme intensive në Gazë – enklavë e populluar me palestinezë, që kontrollohet nga Hamasi.

Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 39.000 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftës.

Në dy javët e fundit, Izraeli ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në zonat humanitare, për të cilat ka thënë se kanë pasur në shënjestër luftëtarët palestinezë që veprojnë atje.

Më 13 korrik, Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se më shumë se 90 njerëz janë vrarë në një sulm izraelit në zonën humanitare al-Mavasi./RLE

Related Articles

Back to top button
Close
Close