
Kulla Jala, ndërtesë në Gaza në të cilën vepronin gazetarë të agjencive të lajmeve Associated Press dhe Al-Jazeera, u bë hi të shtunën, pas një sulmi ajror që e ndërmori Izraeli.
Mediat nuk janë fare palë e përfshirë në konfliktin izraelito-palestinez, andaj shkatërrimi i zyrave të tyre u kritikua ashpër.
Për bombardimin e objektit, Gary Pruitt, tha se ndjehen të tmerruar nga ajo që ndodhi dhe se kjo e pengon fort punën e mediave.
“Ne shmangëm shumë vdekje të tmerrshme, pasi një grup gazetarësh dhe profesionistësh të pavarur të AP-së ishin brenda ndërtesës, por fatmirësisht arritëm t’i evakuonim me kohë. Bota do të dijë më pak për atë që po ndodh në Gaza, për shkak të asaj që ndodhi sot”, u shpreh Pruitt në një deklarim zyrtar, njofton Klan Kosova.
Pjesë e ngjarjes ishin edhe shqiptarë. Ish-gazetarja Garentina Kraja tregoi se u ndje e mpirë pasi dëgjoi burrin e saj që punon në AP, Nebi Qenën, duke iu thënë ekipit të tij se do të rindërtojnë gjithçka që u shkatërrua nga sulmi ajror.
Kurse korrespodenti i Al Jazeera, Safëat al-Kahlout, rrëfeu se çdo gjë u zhduk brenda sekondave, por që kjo nuk i ndali gazetarët ta vazhdojnë raportimin. Ndërsa një koleg i tyre nga një tjetër medium shtoi se zor mund të kthehen mjetet dhe arkivat që gjendeshin në Jala.
Në krah të gazetarëve kanë dalë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki, njoftoi se Izraelit i është thënë se duhet pasur përgjegjësi në garantimin dhe mos-rrezikimin e gazetarëve dhe mediave të pavarura.
Sulmin në këtë objekt, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit e ka arsyetuar duke thënë se këtu ka pasur edhe zyrë të inteligjencës ushtarake të Hamasit palestinez.
https://www.youtube.com/watch?v=yff1xiATZYo



