Izraeli ka marrë një dërgesë me bomba të rënda MK-84 nga Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan Donald Trump hoqi bllokimin e vendosur mbi eksportin e municioneve nga administrata e paraardhësit Joe Biden, tha të dielën ministria e Mbrojtjes.
MK-84 është një bombë 900 kilogramëshe, e cila mund të çajë betonin dhe metalin e trashë, duke krijuar një rreze të gjerë shpërthimi.
Administrata Biden dërgoi mijëra bomba 900 kilogramëshe në Izrael pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga militantët palestinezë të Hamasit nga Gaza, por më vonë mbajti një nga dërgesat. Ndalimi u hoq nga Trump muajin e kaluar.
“Dërgesa e municioneve që mbërriti në Izrael sonte, e lëshuar nga administrata Trump, përfaqëson një pasuri të rëndësishme për Forcën Ajrore dhe IDF dhe shërben si dëshmi e mëtejshme e aleancës së fortë midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
Dërgesa mbërriti pas ditësh shqetësimi nëse do të zbatohej një armëpushim i brishtë në Gaza, i rënë dakord muajin e kaluar, pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të kushteve të marrëveshjes për ndalimin e luftimeve, për të lejuar shkëmbimin e pengjeve të mbajtura në Gaza për të burgosurit dhe të paraburgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Uashingtoni ka njoftuar ndihmë për Izraelin në vlerë miliarda dollarë që nga fillimi i luftës.