
Ushtria izraelite iu përgjigj sot akuzave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) – e cila pretendon se IDF ka sulmuar objektet e agjencisë së OKB-së në Gazën qendrore dhe ka arrestuar anëtarë të stafit.
IDF tha se ushtarët ishin qëlluar dje me armë zjarri në qytetin Deir al-Balah, dhe ata kishin hapur zjarr në drejtimin nga kishin filluar të shtënat.
Megjithatë, ushtria nuk specifikoi nëse të shtënat kishin ardhur nga ambientet e OBSH-së, në Deir al-Balah.
OBSH tha se një strukturë akomodimi për stafin ishte sulmuar dje dhe një depo qendrore ishte dëmtuar gjatë një incidenti të dielën.
Sipas një raporti të agjencisë izraelite të lajmeve “Ynet”, duke cituar një zëdhënës ushtarak, ushtria është në dijeni të pretendimeve se një kompleks banimi që strehonte punonjës të OBSH-së ishte goditur.
Sipas ushtrisë, asnjë punonjës i agjencisë nuk ishte plagosur.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan publikisht se disa individë ishin arrestuan në Deir al-Balah të dyshuar për “përfshirje në terrorizëm”- po nuk sqaruan nëse të arrestuarit ishin punonjës të OBSH-së apo të afërm të tyre, siç ka pretenduar agjencia e OKB-së.
“Shumica e të arrestuarve u liruan pas marrjes në pyetje”, tha ushtria.
Në një deklaratë dje, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se stafi i OBSH-së dhe të afërmit e tyre (meshkuj) ishin prangosur, zhveshur, kontrolluar me armë dhe marrë në pyetje.
“Ndonjëherë gjatë marrjes në pyetje në terren, është e nevojshme që individët e dyshuar për aktivitet terrorist të heqin përkohësisht rrobat e tyre – në mënyrë që të sigurohemi se nuk po fshehin rripa shpërthyes ose armë të tjera”, tha ushtria izraelite duke iu përgjigjur pretendimit.



