
Të dashur çairas,
Me zemrën plot mirënjohje, ju falënderoj për çdo ditë që na keni dhënë mbështetje, besim dhe respekt. Çdo takim me ju ka qenë një frymëzim i vërtetë. Çdo bisedë në lagjet tona, në tregjet tona, në çdo rrugë të Çairit, më ka bindur se FITORJA tashmë ka ndodhur, dhe ajo mban emrin tuaj!
Ju falënderoj për mikpritjen madhështore në shtëpitë tuaja, për sofrat që i keni hapur me dashamirësi, për respektin e sinqertë dhe për besimin që na keni dhënë. Faleminderit për dorën që na keni dhënë në Çarshi e në Bit Pazar, në Fushë Topane, në Serovë, në Dizhon, në Çair të Vjetër, në Malboro e në Gazi Babë.
Faleminderit bizneseve që kanë besuar në rrugën tonë, që kanë qenë me ne, që kanë zgjedhur zhvillimin, punën dhe fitoren.
Faleminderit nënave dhe grave të Çairit, që me urtësinë dhe forcën e tyre janë themeli i qëndrueshmërisë sonë. Faleminderit të rinjve, që me energjinë, idetë dhe guximin e tyre janë gjenerata që po e shtyn përpara këtë valë fitoreje. Faleminderit punëtorëve, mësuesve, sportistëve, artistëve, bizneseve, pensionistëve, të gjithë jeni pjesë e këtij rrugëtimi që po e ndërtojmë bashkë, me zemër e me djersë.
Çdo takim, çdo përqafim, çdo fjalë nga ju më ka dhënë energjinë që të mos ndalem asnjë minutë. Sepse Çairi është familja jonë e madhe, dhe në këtë familje secili prej jush është pjesë e historisë që po e shkruajmë me punë, dashuri dhe përkushtim. Çairi është DIAMANTI ynë, dhe ne do ta ruajmë, do ta lustrojmë, do ta bëjmë të shkëlqejë më shumë se kurrë!
Zhvillimi nuk vjen nga fjalët, por nga veprat. Dhe veprat tona flasin vetë, në rrugët që po rindërtohen, në lagjet që po gjallërohen, në jetën që po i lehtësohet çdo qytetari të Çairit.
Ju jeni forca ime!
Ju jeni energjia që po e bën Çairin kampion të zhvillimit, të bashkimit dhe të fitores!
Faleminderit për çdo hap bashkë.
Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi historik.
Me respekt dhe përkushtim të përjetshëm,
Izet Mexhiti



