LajmeSport

“Ishim më të fortë se Italia”/ Ish-mesfushori i Francës kujton finalen e 2006-ës: Nuk e kam parë atë ndeshje, në hotel me ne ishte edhe Spike Lee

Kanë kaluar 20 vite nga ajo natë historike në Berlin, kur Italia ngriti Kupën e Botës 2006 pas fitores me penallti ndaj Francës.

Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Dhorasoo ka zbuluar shumë prapaskena nga ai Botëror, përfshirë zhgënjimin e humbjes, tensionet brenda ekipit francez dhe momentin e famshëm mes Zidane dhe Marco Materazzit.

Dhorasoo pranon se finalja e vitit 2006 është një kujtim që ende e ndjek.

“Nuk e kam parë më atë finale, përveç disa aksioneve që më kanë dalë rastësisht. Por ndonjëherë ende e ëndërroj. Ëndërroj sikur hyj në fushë dhe ndryshoj rrjedhën e ndeshjes.”

Ai tregon se ndryshe nga humbja e Milanit në Champions League ndaj Liverpoolit në Stamboll në vitin 2005, finalja e Botërorit është shumë e dhimbshme për t’u rishikuar.

“Finalen e Championsit të humbur me Milanin e kam parë pa probleme, sepse ishte një moment intensiv. Por atë të Botërorit 2006 nuk mundem. Do të doja të kthehesha pas dhe ta luaja sërish. Nuk ishte një humbje e bukur.”

Sipas Dhorasoo, Franca kishte krijuar bindjen se mund të bëhej kampione bote pasi Zidane, Claude Makelele dhe Lilian Thuram u rikthyen në kombëtare.

“E kishim premtuar që do të shkonim deri në fund. Rikthimi i Zidane, Makelele dhe Thuram ndryshoi gjithçka gjatë eliminatoreve.”

Momenti kur skuadra franceze filloi të besonte seriozisht te titulli, sipas tij, ishte para ndeshjes me Spanjën në fazën e 1/8-ave.

“Mediat spanjolle shkruanin se do ta dërgonin Zidane në pension. Kjo na motivoi edhe më shumë dhe na bashkoi si grup. Në Berlin organizimi nuk ishte në nivelin e duhur. Ishim në një hotel me klientë të tjerë, përdornim ashensorët e shërbimit për të shkuar në dhoma. Në holl kishte shumë njerëz. Mbaj mend Spike Lee që bisedonte me Henry dhe Thuram. Nuk u menaxhuan mirë as ftesat për familjet. Kjo krijoi tension, stres dhe shpërqendrim.”

Sipas tij, edhe mënyra e komunikimit para finales nuk ishte ideale.

“Para ndeshjes foli presidenti i federatës. Nuk ishte momenti i duhur. Domenech foli më pas, por nuk tha diçka që të na ndizte si ‘shkojmë dhe i hamë italianët’.”

Dhorasoo shpresonte të merrte minuta në finalen kundër Italisë.

“Po, sidomos kur Vieira u dëmtua. Por Domenech futi Diarran. Më pas ai pranoi se ishte penduar për atë vendim.”

Ai e përshkruan finalen si një ndeshje me shumë momente dramatike.

“Kryesisht goditje me kokë: ajo e Materazzit për barazimin, ajo e Zidane që u prit nga Buffon dhe goditja e kokës së Zizou ndaj Materazzit.”

Dhorasoo tregon se askush në fushë nuk e kuptoi menjëherë atë që ndodhi mes dy lojtarëve.

“Të gjithë shikonim aksionin dhe topin. Por kur pashë Zizou të largohej me kokën ulur, kuptova se kishte ndodhur diçka. E pashë goditjen vetëm të nesërmen në televizor. Nuk kishte video në telefonat celularë si sot.”

Pas kartonit të kuq, Zidane u përball me shokët e skuadrës në dhomën e zhveshjes.

“U kërkoi falje, thjesht. Para presidentit Chirac, Domenech donte ta falënderonte Zidane. Tentoi të niste një duartrokitje, por ishte shumë e vakët.”

Një tjetër moment që Dhorasoo kujton është penalltia e humbur nga David Trezeguet.

“Ai kishte hyrë pikërisht për ta gjuajtur. Ishte një dhuratë e hidhur për dikë që kishte shënuar golin e artë kundër Italisë në Europian. David qante në dhomat e zhveshjes dhe edhe të nesërmen në Paris.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close