
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka kritikuar ashpër retorikën e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shpërqendruar opinionin publik nga kërcënimet reale globale, veçanërisht lufta e Rusisë në Ukrainë.
Në një intervistë për Financial Times, Rasmussen, i cili ka shërbyer edhe si kryeministër i Danimarkës nga viti 2001 deri në vitin 2009, shprehu shqetësimin se fokusi ndërkombëtar po zhvendoset drejt një çështjeje që, sipas tij, nuk përbën asnjë rrezik real për Evropën apo Shtetet e Bashkuara.
Ai theksoi se gjatë gjithë jetës së tij ka parë Shtetet e Bashkuara si udhëheqësin natyror të botës së lirë, madje duke i cilësuar si “policin e botës”.
Deklaratat e Rasmussen vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë mbetet një nga sfidat më të mëdha të sigurisë globale dhe kur pritet një rol më aktiv dhe i unifikuar i aleatëve perëndimorë përballë Rusisë.



