
MPB ka indikacione se në ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele. MPB në mënyrë efikase do të zbardh rastin dhe personat e përfshirë do të japin përgjegjësi. Ky ishte dyshimi i parë i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili në profilin e tij në Facebook, shkroi se me të gjithë rastet dhe incidentet, MPB po merret seriozisht dhe së shpejti do të jetë epilog për të gjithë këto raste një nga një. Megjithatë, pjesa ku zëvendësministri përmend “qërim hesapesh nga e kaluara e grupeve kriminele” u zhduk pas 20 minutave në postimin e tij.
“Në mëngjesin e sotëm në Kumanovë, disa persona kanë vënë zjarr ndaj disa veturave dhe një objekti, ndërkaq personat që kanë vënë zjarrin dyshohet se kanë përdorur pajisje për bllokimin e kamerave. MPB ka indikacione se në ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele. MPB në mënyrë efikase do të zbardh rastin dhe personat e përfshirë do të japin përgjegjësi”, shkruajti fillimisht Iseni, ndërsa pastaj e hoqi pjesën se “ka indikacione” për qërim hesapesh nga grupe të caktuara kriminele.
“Që nga marrja e detyrës kanë ndodhur një varg krimesh, por me të gjithë rastet po merremi seriozisht dhe së shpejti do të jetë epilog për të gjithë këto raste një nga një. Duhet ta dinë të gjithë se tani është koha kur kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat të cilat i bëjnë. Ka kaluar koha kur drejtësia ishte selektive. Tani askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia e veprave të tij. Për MPB-në, të gjithë qytetarët janë prioritet. Banditët do të marrin dënimin e merituar. Bëjmë thirrje deri te të gjithë qytetarët që rastet t’i marrin me gjakftohtësi dhe t’ua lejnë në dorë institucioneve shtetërore për t’i zbardhur ato”.



