
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se kanë goditur objekte ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj valës së fundit të sulmeve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Sirenat e alarmit u dëgjuan në të dyja vendet.
Kuvajti njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po u përgjigjeshin kërcënimeve nga raketat dhe dronët, ndërsa Ministria e Brendshme e Bahrejnit u bëri thirrje banorëve të strehohen.
Më herët, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë të re sulmesh ndaj Iranit dhe hoqën një përjashtim nga sanksionet që i lejonte Teheranit të shiste naftë në rrethana të caktuara.
Uashingtoni e akuzoi Iranin se ka sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke vënë në rrezik armëpushimin e brishtë mes dy vendeve.
Përshkallëzimi i ri konsiderohet si kriza më e rëndë që nga nënshkrimi, muajin e kaluar, i një memorandumi 60-ditor mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte uljen e tensioneve dhe rikthimin e qarkullimit normal në Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Ushtria amerikane tha se sulmet u kryen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që, sipas saj, Irani kreu ndaj tri anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Mes tyre ishte edhe një anije e Katarit që transportonte gaz të lëngshëm natyror (LNG).
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet iraniane kishin në shënjestër anije tregtare me ekuipazhe civile që po lundronin në një rrugë ujore ndërkombëtare.
“Veprimet e Iranit ishin të pajustifikueshme, të rrezikshme dhe përbëjnë shkelje të qartë të armëpushimit”, thuhet në reagimin e CENTCOM-it.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa pjesë të jugut të vendit, përfshirë ishullin Keshm, qytetin Sirik dhe zonën pranë portit strategjik Bandar Abas.
Autoritetet amerikane nuk thanë se cilat objekte u goditën.
Sulmet ndodhën ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, gjendet në samitin e NATO-s në Ankara, ku pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e aleancës për të diskutuar krizën me Iranin, shpenzimet për mbrojtjen dhe çështje të tjera të sigurisë.
Krahas sulmeve ushtarake, Shtetet e Bashkuara rikthyen edhe presionin ekonomik ndaj Iranit.
Departamenti amerikan i Thesarit shfuqizoi autorizimin që i lejonte Iranit të shiste naftë në kuadër të lehtësimeve të përkohshme të sanksioneve, të miratuara pas memorandumit të mirëkuptimit, muajin e kaluar.
Një zyrtar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi pasqyron qëndrimin e kahershëm të administratës amerikane se çdo lehtësim i sanksioneve varet nga respektimi i marrëveshjes nga ana e Iranit.
“Siç kanë theksuar vazhdimisht presidenti Trump dhe administrata e tij, memorandumi me Iranin bazohet tërësisht në përmbushjen e detyrimeve. Irani do të përfitojë vetëm nëse respekton marrëveshjen dhe tregon sjellje konstruktive”, tha zyrtari.



