LajmeSport

Inter, rrëfimi i Akanji: “Unë dhe Stones, vëllezër të Champions-it. Bëj tifo për Sinnerin, mësoj italisht me ‘Odisenë’

Në thellësi të stadiumit San Nicola, pasi mposhti Betisin në atë miqësoren e fundit të çuditshme të mesit të gushtit në Bari, Manuel Akanji nuk bën gjë tjetër veçse përkëdhel kokën e saporruar: nuk ka më gërsheta, por në mendjen e tij rrjedhin një lumë mendimesh për sezonin e ri zikaltër

Ky sezon do të jetë emocionalisht ndryshe, me John Stones pranë tij, vëllain e sapogjetur dhe që menjëherë gjeti rrugën e golit.

Akanji, si ndihesh pas këtyre 45 minutave të para të sezonit?

‘Pjesa e dytë ishte impenjative, por jam i kënaqur. Nuk besoj se do të më duhet shumë kohë për t’u rikthyer në 100%, edhe sepse kam qenë me pushime për tre javë dhe, siç bëj zakonisht, kam vazhduar gjithsesi të stërvitem. Në fillim kam vrapuar shumë dhe kam bërë palestër, ndërsa që kur shokët e skuadrës u kthyen nga turneu, po punojmë së bashku në fushë. Tani mezi pres të fillojmë seriozisht me Monzën: një tjetër sezon është një fillim i ri’.

Edhe për sa i përket pamjes është një fillim i ri. Pse vendosët për këtë model të ri të flokëve?

‘Po, duhej ta bëja. Kisha nevojë për një ndryshim. Ndihem mirë dhe shumica e njerëzve thonë se dukem pak më i ri, kështu që nuk është keq, duke qenë se jam 31 vjeç…’

A është i lumtur miku juaj 32-vjeçar, John, pas golit të parë këtu në Bari?

‘Jam unë vërtet i lumtur për të, për më tepër që Betisi është një skuadër shumë e mirë. Tani duhet ta përsërisë që në ndeshjen e ardhshme, nuk mund të mbarojë me kaq…’

Në përgjithësi, si të duket ai?

‘Ka qenë qesharake, sepse pikërisht ditën kur u konfirmua ardhja e tij, disa orë më parë, unë dhe gruaja ime takuam bashkëshorten e tij në plazhin e Ibizës. Një rastësi e pastër. Jemi miq dhe kemi bërë pushime së bashku, dhe ajo na tha: ‘Mesa duket, në fund do të vijmë…’. Pastaj, disa orë më vonë, kur isha në shtëpi, pashë mesazhin e Johnit. Tani po përpiqem ta njoh me Interin. I shpjegoj gjithçka, përpiqem t’i përkthej, ndërsa ditën tjetër e çova edhe në restorant. Por është një djalë fantastik, do të përshtatet shpejt.’

Interi po merr shumë lojtarë edhe nga Premier League: ty vitin e kaluar, tani Stones, Spence, pastaj kush e di… Sa e rëndësishme është ajo eksperiencë?

‘Sa i përket aspektit fizik, nga Premier League vjen shumë i përgatitur. Por nga ana taktike është ndryshe. Unë, te City, bashkë me Stones luaja në një mbrojtje me katër mbrojtës dhe m’u desh të përshtatesha. Për mua ndodhi mjaft shpejt dhe e njoh Johnin: ai di të bëjë gjithçka dhe as ai nuk do të ketë probleme. Sigurisht, do të ketë nevojë për ndihmën e shokëve të skuadrës dhe stafit, por ka përfunduar në vendin e duhur.’

Çfarë ke mësuar nga shkolla italiane e mbrojtjes dhe nga vetë Chivu?

‘Për mua, të mbrohesh është… gjëja më e bukur në botë. Pjesa më e rëndësishme e lojës sime. Si mua, ashtu edhe Johnit na pëlqen të ndërtojmë aksionin nga prapa dhe ta kemi topin në këmbë, por, sigurisht, prioriteti është markimi. Në këto aspekte, te Interi kemi bërë vërtet një punë shumë të mirë në mbrojtje, si skuadër. Personalisht, më pëlqen të luaj në disa pozicione, edhe sepse trajneri më ndihmon dhe më jep njëfarë lirie. Do të thosha se trajneri ynë di diçka për mbrojtësit…’

E mbani mend Chivun kur bënte të njëjtën punë si ty?

‘Po, e mbaj mend për kapelen mbrojtëse, por edhe për elegancën dhe forcën në duele. Dukej sikur argëtohej në përplasjet fizike. Pikërisht ditën tjetër pashë dokumentarin e Netflix-it për Mourinhon dhe aty ishte edhe ai: nuk flet, por çfarë ndërhyrjesh bënte ndaj Messit në vitin e Tripletës! Gjithçka ishte emocionuese.’

Duke folur për mbrojtjen, këtë vit, me Stones dhe Pavard, konkurrenca është rritur si kurrë më parë.

‘Pikërisht kjo është ajo që na nevojitet për të konkurruar jo vetëm në Itali, por edhe në Champions. Kemi një mbrojtje shumë të fortë, ndër më të mirat dhe një skuadër të madhe: në çdo pozicion kemi të paktën dy lojtarë shumë të mirë. Tani duhet t’i integrojmë të rinjtë në sistem, por konkurrenca në stërvitje do të jetë e madhe dhe kjo na përmirëson të gjithëve.’

Pas dy trofeve, çfarë ke kuptuar për Interin?

‘Se ka diçka të veçantë. Që nga dita e parë jam ndier i mirëpritur nga skuadra, tifozët dhe të gjithë njerëzit përreth klubit. Do të thoja madje se menjëherë jam ndier… i sigurt. Sigurisht, ndihmon edhe fakti që luan dhe fiton, por Interi nuk të lë kurrë vetëm. Ka ende gjëra për t’u përmirësuar dhe objektivi ynë është t’ia dalim, por tashmë kjo është shtëpia ime’.

Sommer, bashkëkombësi juaj, nuk është më këtu, ndërsa keni gjetur sërish Stones. Si e përjeton jetën në dhomat e zhveshjes dhe në Milano?

‘Sommer do të më mungojë, por këtu kam krijuar shumë miqësi, përveçse kam ritakuar Johnin. Fëmijët e mi shkojnë në të njëjtën shkollë me fëmijët e Mkhitaryan, ndërsa me Calhanoglun dhe Bisseck kam një marrëdhënie shumë të mirë. E di që të gjithë janë ata që flasin anglisht, por edhe me italishten po shkoj gjithnjë e më mirë: kuptoj pothuajse gjithçka dhe arrij të komunikoj. Ditën e kaluar, në kinema, për të mësuar, lexoja titrat në italisht të ‘Odisesë’. Vërtet një film shumë i bukur, por zëri në sallë ishte tepër i lartë: në fund më dhimbnin veshët’

Pas dominimit në Itali, a mund ta përballojë kjo skuadër Champions-in me të njëjtën mentalitet?

‘Nuk duhet të kemi frikë nga askush, nuk duhet të hyjmë kurrë në fushë me dyshimin se nuk mund të fitojmë. Mund të përballemi me çdo kundërshtar duke menduar se mund ta mposhtim, por sigurisht që duhet ta dëshmojmë këtë. Në kampionat dhe në Kupën e Italisë e kemi bërë, ndërsa në Champions u eliminuam herët dhe kjo nuk është në standardin e Interit. E dimë se mund të bëjmë më mirë, por gjithçka duhet të dëshmohet gjithmonë me paraqitjet tona’.

A të djeg ende eliminimi në çerekfinalet e Botërorit?

‘Po, ishte e vështirë, sepse kishim qenë më të mirë se Argjentina dhe vërtet mund ta fitonim Botërorin. Pa atë karton të kuq ndaj Embolos, mendoj se do të kishim kaluar ne turin tjetër. Madje kishim arritur ta heshtnim stadiumin, pastaj goli i Julian Alvarez i dha fund gjithçkaje, por mbetem krenar për Zvicrën time. Me Lautaron nuk kemi folur për këtë, nuk ka nevojë, edhe sepse asnjëri prej nesh nuk është i lumtur për mënyrën se si përfundoi Botërori.’

Je ende i bindur se nuk dëshiron të gjuash më penallti?

‘Po. Kundër Kolumbisë, në fazën e 1/8-ve, më zhgënjeu jo aq shumë gabimi në vetvete, por fakti që kisha shumë dyshime, edhe sepse kisha humbur tashmë dy penalltitë e fundit në turnetë me Zvicrën’.

Për një person kaq analitik sa ty, a është e vështirë të pranosh një gabim?

‘Në përgjithësi jo, në atë rast po… Nëse e gjuaj mirë dhe portieri e pret, e pranoj. Nuk pranoj që të më gërryejnë mendimet para se ta godas topin. Prandaj, mjaft: unë luftoj për 120 minuta, ndërsa që tani e tutje penalltitë ua lë shokëve të skuadrës’.

Të gjithë flasin për aftësinë tënde të jashtëzakonshme për të bërë llogaritë. Por a të ndihmon kjo edhe në fushë për të marrë vendime të shpejta?

‘Jo, në fushë rëndësi kanë vetëm njohja e lojës dhe eksperienca. Fakti që je gjendur më parë në situata të caktuara, i ke stërvitur ato dhe di si të pozicionohesh. Çfarë ndodh nëse ai lojtar driblohet? Çfarë ndodh nëse topi i kalon mes këmbëve? Në fushë nuk mund të fillosh të bësh llogaritje, por reagon ndaj asaj që ndodh. Për mua, një lojtar ‘inteligjent’ është ai që merr vendimin e duhur në momentin e duhur. Në moshën 20-vjeçare është e vështirë, por ndërsa rritesh duhet të dëgjosh, të shikosh brenda vetes, të mësosh dhe të bëhesh më i zgjuar’.

Me cilin tatuazh je më i lidhur?

‘Në krahun tim shkruhet ‘Prove them ërong’ – ‘Tregoju se e kanë gabim’. Kur e bëra, sapo kisha kryer një operacion në ligamentin e kryqëzuar: isha 20 vjeç dhe ndieja se kishte dyshime rreth meje. Unë, përkundrazi, nuk kam dyshuar kurrë. Edhe pse sot mendoj se nuk kam nevojë t’i dëshmoj asgjë askujt, përveç vetes, ajo frazë vazhdon të më pëlqejë. Në përgjithësi, megjithatë, jeta të çon drejt ndryshimeve: dikur doja gjithmonë iPhone-in e fundit dhe rroba të markave, ndërsa tani luksi nuk më intereson. Me tre fëmijë, perspektiva ka ndryshuar’.

Ti, ashtu si Chivu, që është tifoz i Patriots, e do futbollin amerikan: a ka diçka që ky sport mund t’ju mësojë juve të futbollit?

‘Fillimisht, unë jam tifoz i Atlanta Falcons dhe shpesh shkoj në Appiano me fanellën e Julio Jones, ëide receiver-it dhe lojtarit tim të preferuar, i cili na çoi në Super Boël. Në NFL gjithçka është strategji: e ndjek me obsesion prej dhjetë vitesh dhe vazhdoj të mësoj, duke studiuar lëvizjet e marrësve të topit dhe skemat mbrojtëse. Gjithçka që nuk shihet në televizor më kuriozon dhe pikërisht kjo është ajo që mund të ‘sjellim’ në futboll. Prej kohësh luaj me miqtë në fantasy football, më argëton vërtet, por unë jam i fiksuar pas çdo lloj sporti’.

Cilët janë të preferuarit tuaj?

‘Janë shumë, duke filluar nga tenisi, të cilin e luaja kur isha i ri. Më parë preferoja Sinnerin ndaj Alcarazit, ndërsa tani më mungojnë përballjet e tyre: më argëtonte thjesht t’i shihja duke luajtur, edhe pse do të jem gjithmonë në anën e Roger Federer, pjesërisht sepse është zviceran dhe pjesërisht sepse e kam takuar disa herë. Madje, Nadal na erdhi për vizitë në kohën kur isha te City: vërtet një shembull përulësie. Ndjek edhe basketbollin dhe lojtari im i preferuar, Russell Ëestbrook, sapo është tërhequr. Bëj tifo për Oklahoma City Thunder: çfarë kohësh me të, Durant dhe Harden të gjithë bashkë…’

Related Articles

Back to top button
Close
Close