
Portugalia e Vogël ka ndërtuar një industri ushtarake çuditërisht të fortë në pesë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me një vendim të rëndësishëm…
Mbrojtja ka rezultuar të jetë një biznes fitimprurës – këtë e kanë kuptuar edhe shumë kompani portugeze që po hyjnë në treg me oferta gjithnjë e më të forta dhe më konkurruese. Sipas të dhënave nga José Neves nga shoqata e interesit AED Cluster Portugal, sektori i industrisë së mbrojtjes arriti një qarkullim prej rreth 2.1 miliardë eurosh vitin e kaluar. “Trendi është në rritje”, thekson Neves.
Në të njëjtën kohë, Portugalia po blen intensivisht pajisje ushtarake jashtë vendit në mënyrë që të përmbushë qëllimin e rënë dakord të NATO-s për t’i kushtuar pesë përqind të produktit të brendshëm bruto mbrojtjes. Lisbona po blen fregata në Itali, tanke në Gjermani, ndërsa planifikon të blejë edhe avionë të rinj. Ende nuk është vendosur nëse ato do të vijnë – nga SHBA-ja apo nga Evropa.
Ministri i Mbrojtjes, Nuno Melo, në vitin 2025, vuri në pikëpyetje marrëveshjen pothuajse të përfunduar për të blerë avionë luftarakë amerikanë F-35 nga Lockheed Martin. Ai shprehu dyshime për besueshmërinë e SHBA-së si aleat nën Presidentin Donald Trump dhe theksoi se duhen marrë në konsideratë edhe opsionet evropiane. Më i vjetri nga 28 avionët luftarakë portugezë F‑16 janë mbi 30 vjeç dhe një vendim duhet të merret së shpejti.
Këtu hyn në lojë kompania suedeze e mbrojtjes Saab, duke i ofruar Portugalisë avionët e saj luftarakë Gripen E. “Gripen E do të ishte një zgjidhje vërtet evropiane”, tha Daniel Boestad, nënkryetar i Saab përgjegjës për avionët, për DW. “Gripen E do të forconte aftësitë strategjike mbrojtëse portugeze dhe evropiane përmes partneriteteve industriale afatgjata dhe sovranitetit teknologjik”.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Ndryshe nga qasja amerikane, Saab është gati të përfshijë industrinë ushtarake portugeze në projektin Gripen. Kompania e aviacionit OGMA mund të prodhojë pjesë avionësh – gjë që tashmë e bën, ndër të tjera, për prodhuesin brazilian Embraer.
Portugalia nga ana tjetër blen avionë transporti ushtarak nga Embraer. “Përveç kësaj, ne po shqyrtojmë potencialin për bashkëpunim shtesë në fushat e prodhimit dhe MRO-së”, thotë Boestad.
Në Portugali, suedezët mbështeten gjithashtu te kompania e softuerëve Critical Software, e cila po zhvillon një simulator fluturimi për Gripen E. “Ne po bashkëpunojmë me Saab sepse është një sfidë interesante dhe një projekt me të cilin mund të identifikohemi”, thotë CEO João Carreira. Kompania, e themeluar në vitin 1998 si një zyrë me tre punonjës, sot punëson rreth 5,000 njerëz në të gjithë botën.
Në fillim, ajo zhvilloi softuer për fregata të Marinës Portugeze, dhe sot Critical Software merr pjesë në sipërmarrje të përbashkëta, ndër të tjera me BMW, dhe bashkëpunon me koncerne gjermane të mbrojtjes si Diehl dhe Rheinmetall.
“Ne zhvillojmë softuer për satelitë ushtarakë, mjete ajrore pa pilot dhe sisteme raketash. Ne bashkëpunojmë me Airbus – si në segmentin ushtarak ashtu edhe në atë civil”, shpjegon Carreira.
Grupi i mbrojtjes në rritje të vazhdueshme
Kompani të tjera portugeze prodhojnë gjithashtu dronë ose komponentë për koncerne të mëdha ndërkombëtare. Industria portugeze e mbrojtjes ka arsye të jetë e lumtur sot, sipas José Neves nga AED Cluster Portugal. “Në pesë vitet e fundit, është bërë një hap i madh përpara. Ne jemi bërë një lojtar serioz me rreth 20,000 vende pune.”


