
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në bregdetin e Shqipërisë, saktësisht tek Rana e Hedhur, ku mbeten të vdekur dy të rinj nga Kosova, ndërsa mbeten të lënduar tre të tjerë të cilët janë duke vazhduar të marrin trajtim mjekësor.
Policia e Lezhës doli me detaje se si ndodhi tragjedia, ku u përfshin 5 shokët.
Sipas të dhënave paraprake, të rinjtë janë futur për t’u larë në det, por janë përballur me kushte të rrezikshme detare dhe janë marrë nga dallgët, duke rrezikuar mbytjen.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të qytetarëve me mjete lundruese Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe Policisë së Lezhës, u bë e mundur nxjerrja e pesë personave nga uji. Ata u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për trajtim mjekësor.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare, Policia Vendore e Lezhës dhe ekipet e emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftim.
Viktima të kësaj tragjedie janë Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku.
Faqja zyrtare e Komunës së Drenasit ngushëlloi familjen dhe të afërmit e Jetmir Binakut, njërit nga viktimat.
“Me rastin e ngjarjes tragjike të ndodhur sot në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova, njëri prej tyre nga fshati Gllobar i Drenasit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Binaku, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të Komunës së drejtuar nga Ramiz Lladrovci.
Edhe për ndarjen nga jeta të Leonit Aliut, familjarë dhe të afërm kanë shprehur dhimbjen e tyre përmes postimeve prekëse në rrjetet sociale.
I riu ishte i njohur edhe në botën e futbollit, pasi në të kaluarën kishte qenë pjesë e klubit KF Fushë Kosovë.
Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, ka vizituar tre të rinjtë kosovarë që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.
“Gjendja e tyre ishte shumë e mirë. Fati i tyre. Ngjarje shumë tronditëse, por ne jemi këtu të bëjmë atë nqë duhet bërë, për të informuar familjarët e dy viktimave”, u shpreh ambasadori./Periskopi/



