LajmeMaqedoniOpinion

Hutbe: Tërë jetën ta kemi Ramazan të Bekuar

Hutbe: Tërë jetën ta kemi Ramazan të Bekuar

“Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, le të gëzohen.” (Junuz,58)

Afrim Tahiri

Të dashur besimtarë!

Kaluam një muaj me agjërim, me lutje e ibadete më të intensifikuar se muajve të tjerë të vitit! Muaji i Mëshirës, Ramazani i Bekuar, na e mundëson që përmes formave të aktivitetit shpirtëror e fizik të arrijmë sa më shumë kënaqësinë e Krijuest tonë. Në këtë Muaj jo vetëm që i përkushtohemi tërësisht vetes, familjes, shoqërisë sipas porosive të të Madhin Zot, por bëhemi edhe më të ndjeshëm ndaj dukurive dhe fenomeneve që paraqiten në botë. Kemi harruar kur kemi kaluar një Ramazan tërësisht në paqe e në mirëqenie, pa u preokupuar e pa u trishtuar me atë që ndodhë në botë! Agresioni fashizoid i Rusisë mbi Ukrainën, pamjen që na vinin nga atje, por edhe pamjet që na vinin nga Xhamia Al Aksa, kërcënimet reale që këto pamje të zgjërohen dhe të ndodhin edhe nëpër shumë vende të rajonit dhe më gjërë, pa dyshim që ndikuan të përjetojmë edhe trishtim dhe pikëllim, në vend se të ishim tërësisht të lumtur me të mirat e pakufishme që na i ofron Muaji i Mëshirës.

Në aspekt të jetës fetare institucionale kaluam edhe një muaj me shumë probleme të cilët na bënë të ndjehemi jo fort mirë! Aktivitetet stihike, të paplanifikuara, të pa përfshira në ndonjë plan zhvëllimor mujor, të pa konceptuara profesionalisht e fetarisht, me një neglizhencë të paparë në rrafshin human, me disa veprime të klishetizuara që më shumë shtojnë monotoninë se sa kënaqësinë, me disa “risi” të ideologjizuara e të sektarizuara, përbëjnë njolla të pashlyeshme në jetën fetare institucionale që e kaluam përgjatë këtij Ramazani. Këto dukuri dhe fenomene të dobëta po na detyrojë që falënderimet ndaj Krijusit tonë të jenë më të pakta sesa lutjet që të ndryshojë për të mirë situatat nëpër të cilat po kalojnë shoqëria myslimane por dhe mbarë bota. Pa dyshim, lutjet për të mirën dhe të mbarën, të shëndetshmen dhe rehatinë, për nivelin më të lartë të devotshmërisë, duhet të jenë i vetmi ushqim i shpirtit tonë, por, gjithësesi, falënderimet që jemi pjesëtarë të islamit, falënderimet për punët e hajrit dhe të ndershme që i kemi kryer, falënderimet për veprat humane, falënderimet për të mirat që i  kemi bërë si në raport me Krijuesin ashtu edhe me krijesën e Tij, duhet të jenë të shumta e të sinqerta.

Sido qoftë, në aspektin personal, si gjithmonë ia kemi dalur ta përforcojmë lidhëshmrinë tonë me Zotin Fuqiplotë. Në kapërcyellin e Muajit të Bekuar, shpirtërisht më të lartësuar e më të shpëlarë, do ta festojmë festën e myslimanëve anekënd botës – Festën e Fitër Bajramit. Le ta rrezatojmë gëzimin tonë për këtë festë në përqafim të prindërve, të vëllait e motrës, të fëmijëve tanë, të farefisit, në përqafim të fqiut, por le ta shtrijmë dorën e le ta prekim edhe zemrën e jetimëve, të të varfërve, të njerëzve në nevojë me qëllim që t’i gëzojmë edhe ata me dashurinë tonë, me humanitetin tonë, me përkujdesin tonë që në esencë e kemi të porositur nga i Madhi Zot!

Motra e vëllezër, të dashur besimtarë!

Ju ftoj që, kënaqësitë që i kemi përjetuar përgjatë muajit Ramazan, le t’ia bashkangjesim gëzimit në ditën e Fitër Bajramit dhe le t’ia kalojmë sa më bukur e nën frymën e porosive islame. Ju ftoj që këtë atmosferë shpirtërore, këtë kënaqësi të përjetuar gjatë ibadeteve të shumta në Ramazan, ta shtrijmë përgjatë tërë vitit! Le t’i lutemi Zotit të Madh që të na mbajë vetëm në këtë shteg përmes të cilit arrijmë kënaqësinë e Krijuesit tonë.

Ju qoftë për hajër Fitër Bajrami dhe gjithmonë qofshi nën Mëshirën dhe Bekimin e Allahut Mëshirëplotë!

(Autori është drejtues i Lëvizjes së Myslimanëve për Reforma në BFI të RMV-së)

Related Articles

Back to top button
Close
Close