LajmeRajon

Hoti pas takimit me Lajçakun: Kosova negocion me Serbinë vetëm për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak deklaroi sonte se Kosova në asnjë mënyrë nuk është duke e bllokuar dialogun. “Vizita e Lajçakut është në momentin e duhur për të bërë vlerësim për procesin e dialogut dhe për planet e takimeve të ardhshme. Ka tema të vështira siç është Asociacioni, të cilave do t’u qasemi sipas zotimeve që i kemi bërë para Kuvendit dhe para qytetarëve”, tha Hoti.Shefi i Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se është dakorduar edhe me partnerët ndërkombëtarë që Kosova ulet në tavolinën e bisedimeve vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke.

“Kosova për herë të parë ka qasje konstruktive në dialog, dhe nuk jemi duke e bllokuar atë. Pas dy viteve të bllokadës kemi hyrë në këtë proces dhe është arrit pajtueshmëri edhe me partnerët ndërkombëtarë që të ulemi në tavolinën e bisedimeve vetëm për marrëveshje përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke”, ka thënë ai.

Lajçak e filloi pasdite vizitën zyrtare në Prishtinë, ku sonte përveç me Hotin u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë takim, Osmani ka thënë se çfarëdo marrëveshje, e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e paratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme.

Ajo theksoi nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë kontekst, ajo tha se sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave.

Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjëzimi i Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t`i bëjë presion Serbisë për t`iu zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën, sikurse edhe t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.

Ajo, në veçanti ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sipas paralajmërimeve nga Brukseli, pas përfundimit të vizitës së tij në Prishtinë, të enjten, më 15 tetor, Lajçak do të zhvillojë vizitë zyrtare në Beograd.

Related Articles

Back to top button
Close
Close