
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë.
Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për rezistencën që hasën për të jetësuar reformat në sistemin e drejtësisë, synimet edhe për një mandat qeverisës dhe nevojën për shpalljen e konkursit të ri për kryeprokurorin e shtetit.
E para e drejtësisë në vend thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.
Vonesat e Kushtetueses për ministren Haxhiu janë tendencioze dhe synim të vetëm kanë prolongimin e reformës në drejtësi.
Dërgimin për herë të dytë në Kushtetuese nga PDK-ja të Ligjit të Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e Drejtësisë e quan plan të kësaj partie opozitare për të mos dhënë llogari për pasurinë e fituar sa ishin në qeverisje.
Në intervistën për KosovaPress, ministrja e Drejtësisë ka shprehur kritikat e saj për Këshillin Prokurorial dhe qasjen karshi përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, pozitë kjo e cila për më shumë se dy vjet ka mbetur me ushtrues detyre. Sipas saj, KPK-ja duhet sa më shpejt të shpallë konkurs të ri për këtë pozitë.
Ndërkohë që nga fushata zgjedhore na ndajnë edhe pak ditë, ministrja Haxhiu e cila është edhe anëtare e kryesisë në Vetëvendosje beson se kjo parti do ta udhëheqë vendin edhe për një mandat./KP



