
Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala është liruar nga burgu i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku vuante dënimin me 3 vite burgim për veprat e pengimit të drejtësisë dhe intimidimit të dëshmitarëve në procedurat gjyqësore të Gjykatës në Hagë, përcjell TV21. Shala u dënua më 4 shkurt 2025, kur Trupi Gjykues miratoi marrëveshjen e pranimit të fajësisë mes tij dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të DhSK-së, duke e gjetur fajtor për pjesë të aktakuzës në lidhje me pengimin e zyrtarëve dhe intimidimin e dëshmitarëve.
Gjithashtu, në bazë të vendimit të gjykatës, Shala u pajtua që të paguante 400 euro si dëmshpërblim për “viktimën 01” në këtë çështje.
Në vitin 2025, Shala kishte bërë një kërkesë për lirimin me kusht, duke argumentuar se kishte shërbyer pjesën më të madhe të dënimit, por kjo kërkesë u rrëzua nga Presidentja e DhSK-së, pasi nuk i plotësonte kriteret ligjore dhe nuk kishte shfaqur pendesë të mjaftueshme.
Sipas të dhënave zyrtare, Shala ka qëndruar i arrestuar që nga 11 dhjetori 2023, dhe lirimi i tij sot shënon përfundimin e vuajtjes së pjesës më të madhe të dënimit të shqiptuar prej Specialeve./tv21.tv


