
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, po vazhdon dita e dytë e dhënies së fjalës përfundimtare nga Prokuroria, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Prokurori Matt Halling pretendon se të akuzuarit kanë pasur role në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat ishin në gjendje të shpërndanin “qëllimin e tyre të përbashkët kriminal”.
Sipas tij, të akuzuarit krijuan mjete dhe mohuan veprat e tyre penale në përpjekje për t’i gënjyer ndërkombëtarët.
“Kemi folur tashmë për përgjegjësinë penale individuale. Kontributi i të akuzuarve duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur ata si anëtarë kryesorë të shtabit të përgjithshëm. Ata gërshetuan staturat e tyre individuale dhe i përkthyen në diçka shumë të madhe. Dhe në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të emëronin anëtarët e NKP-së dhe mjetet përkatëse, të koordinonin përpjekjet e tyre dhe të mohonin veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët. Parashtrimet për qëllimet e përbashkëta janë diskutuar tashmë. Krimet që kanë kryer janë kontribute të rëndësishme të NKP-së”, tha ai.
Sipas Halling, Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, andaj, tha ai, as James Rubin, as Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk e dinin se çka po ndodhte në terren.
“Ajo që nuk e kuptonin James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është se Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin kurrfarë interesi për të kuptuar çfarë po ndodhte në realitet. Besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjonte trupi gjykues”, deklaroi ai.
Kujtojmë se në pjesën përmbyllëse gjatë ditës së hënë u dhanë deklarata lidhur me funksionimin dhe strukturën e Shtabit të Përgjithshëm. Prokuroria Speciale kërkoi që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim për secilin apo gjithsej 180 vjet.



