
Tre aeroporte të mëdha në Britaninë e Madhe janë goditur nga një sulm kibernetik, ndërsa janë ekspozuar të dhënat e rreth 8.7 milionë klientëve.
Bëhet fjalë për aeroportet Manchester, London Stansted dhe East Midlands, të cilat menaxhohen nga Manchester Airport Group – grupi më i madh i aeroporteve në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga grupi thonë se incidenti është shkaktuar nga një palë e tretë e paautorizuar.
Sulmi ka prekur të dhëna të klientëve që lidhen me rezervimet e parkingut, sallat e pritjes, shërbimin “Fast Track” dhe regjistrimet në Wi-Fi.
Mes të dhënave të vjedhura janë adresat e emailit, numrat e telefonit, targat e automjeteve dhe kodet postare.
Megjithatë, sipas Manchester Airport Group, të dhënat bankare dhe informacionet e pagesave nuk janë komprometuar.
Sulmi nuk ka shkaktuar ndërprerje në operimin e aeroporteve. Autoritetet përkatëse janë njoftuar dhe po bashkëpunojnë me grupin për hetimin e incidentit.



