Sport

Guardiola përballet me Bielsën, Roma kërkon suksesin e parë sezonal

Pas disfatës së rëndë që Manchester City pësoi javën e kaluar me Leicester City-n, ekipi i Pep Guardiolës do të mundohet të reagojë pa humbur kohë ndaj një kundërshtari si Leeds United. Në letër ndoshta nuk pritet të ketë shumë histori, megjithatë bëhet fjalë për një sfidë tepër të veçantë në distancë ndërmjet trajnerit të famshëm spanjoll dhe frymëzuesit të tij, 65-vjeçarit të mirënjohur argjentinas Marcelo Bielsa.

Veterani nga Rozario mbetet si gjithmonë shumë i veçantë, si për idetë ashtu edhe për zgjidhjet tepër origjinale. Bielsa është shndërruar në një shenjtor në Yorkshire-n Perëndimor dhe natyrisht trajneri i famshëm latino – amerikan ka një meritë të jashtëzakonshme në kthimin e “të bardhëve” për herë të parë pas plot 16 vjetëve, në elitën e futbollit anglez të klubeve. Leedsi e ka nisur më mirë sezonin, megjithëse për hir të së vërtetës është vetëm fillimi i kampionatit dhe “citizens” kanë zhvilluar një ndeshje më pak, krahasuar me ekipin që sapo u ngjit nga Championship-i.

Të dielën e kaluar Riyad Mahrez zhbllokoi rezultatin në “Etihad Stadium” që në minutën e 4-t ndaj ish-skuadrës së tij, me një gjuajtje brilante me të djathtën, që në fakt nuk është këmba e tij e preferuar, sidoqoftë mbrojtja katastrofike e Guardiolës dhuroi tre 11-metërsha dhe u vu në lojë për minuta të tëra nga golashënuesi më i mirë i edicionit të kaluar në Premiership. Jamie Vardy e bëri të duket vërtet qesharake prapavijën e “sky blues”, deri në atë pikë sa Guadiola hyri menjëherë në merkato dhe shpenzoi plot 62 milionë stërlina për qendërmbrojtësin portugez të Benfikës Ruben Dias.

Dy ndeshjet e para të Leedsit me kundërshtarë si Fulham e Liverpool prodhuan plot 14 gola gjithsej, prandaj duke patur parasysh edhe mënyrën se si luajnë këto dy ekipe në orën 18:30 në stadiumin “Elland Road” pritet vërtet një ndeshje e hapur dhe tepër spektakolare. Në Itali ndeshja e mbrëmjes në orën 20:45 do të luhet në Friuli ndërmjet Udineses dhe Romës, ndërsa çerek ore më vonë në Primera Division interes ngjall gjithashtu edhe dueli Valencia – Real Betis.

Sociedadi do të masë forcat në “San Sebastian” në orën 18:30 me Getafe-n, ndërsa më herët në orën 16:00 Atletiko e Diego Simeones do të bëj çmos për të fituar terren ndaj Villarreal-it dhe shfryrë dufin për barazimin zhgënjyes me Huesca-n, duke fundosur në këtë mënyrë në “Wanda Metropolitano” pikërisht “nëndetësen e verdhë”.

Në Gjermani në orën 18:30 Leipzig-u do të masë forcat në Saksoni me Schalke-n, që zëvendësoi trajneri e mëparshëm David Wagner me 41-vjeçarin Manuel Baum, që në 15 muajt e fundit ka drejtuar 18 dhe 20-vjecarët e Gjermanisë, ndërsa verdhezinjtë e Borusias pas humbjes së Superkupës me Bayernin në Mynih do të presin në orën 15:30 në Dortmund një ekip të rrezikshëm sic është Freiburg. Dita në Supersport fillon në orën 13:30 me derbin londinez Chelsea – Crystal Palace, ndërsa në radhë gjithçka vijon me takimin e Serisë A Sassuolo – Crotone, që do të luhet në orën 15:00.

Related Articles

Back to top button
Close
Close