
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, njëherit edhe pjesëtarë i “Grupit të Zjarrit”, gjatë konferencës për media tha se ata sot edhe zyrtarisht po ju drejtohen si fraksion brenda BDI-së. “Fatkeqësisht tre vite me radhë kemi ngritur alarmin se nuk respektohet statuti dhe programi i BDI-së, kjo e dëshmon më së miri mos themelimi i organeve. Sot qëndrojmë para jush si fraksion dhe zotohemi se do të jemi zëri i pakontestueshëm i nevojave dhe kërkesave jo vetëm të elektoratit tonë por të gjithë shqiptarëve dhe se këtë zë dhe zotim nuk e heshtim me asnjë kusht. Për ne zëri i popullit është mbi gjithçka”, ka deklaruar Visar Ganiu.
Ai tha se BDI është shtëpia e tyre dhe se nuk lejojnë të njolloset nga askush. Ganiu tha se në BDI ekzistojnë standarde të dyfishta gjatë vendimmarrjes. “Propozimi ynë për votëbesim të ministrave u refuzua në mënyrë arbitrare”, tha Ganiu, duke shtuar se organet e BDI-së nuk funksionojnë sipas statutit.
Qëllimi, me fraksionin, siç sqarojnë, është që të fitohet beteja brenda BDI-së, sepse deri më tani, siç theksoi Mexhiti, janë pranuar pozitivisht nga qytetarët. I pyetur për kontestimin e fraksionit nga kreu i BDI-sëAli Ahmeti, Mexhiti tha se BDI i promovon vlerat evropiane dhe për këtë arsye beson se fraksioni i tyre nuk duhet të kontestohet. “Tani është momenti që të kemi fraksion dhe nuk e di se për çfarë arsye Ahmeti ka thënë se nuk do ta lejojë. Fraksionet janë vlera evropiane dhe ato e promovojnë këtë”, tha Mexhiti. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse me një hap të tillë mund të dënohen dhe përjashtohen nga BDI-ja, Blerim Bexheti tha se fajin apo dënimin për situatën duhet ta mbajnë të tjerët.



