
Deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk ka dilemë që Dekreti është kushtetues. Unë besoj do të konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Gruda.
Duke komentuar për pasojat e shpërndarjes së Kuvendit, Gruda tha se kjo do ta linte vendin me një qeveri në dorëheqje e cila do të vazhdonte të mbante privilegjet e pushtetit pa sjellë asnjë përfitim për qytetarët, duke e rikthyer vendin në situatën identike të para një vitit.
Gruda i vlerësoi përpjekjet e opozitës për çështjen e presidentit rreth gatishmërisë për një kandidat konsensual, por se, sipas tij, Kurti nuk ka pasur interes që ky proces të përfundonte me marrëveshje.
“Është hera e parë që një opozitë tregohet kaq konstruktive që me gjet një President konsensual. Nuk ka dashtë e ka dizajnuar të gjithë procesin për të dështuar. Një diçka i mungon dizajnimit për me dështu procesin; fajësimi i opozitës”, shtoi ai.
Sipas Grudës, që në start procesi ishte i dizajnuar për të zgjedhur Glauk Konjufcën në krye të shtetit, dhe se thirrjet e Kurtit për diskutime nuk ishin serioze por, siç e quajti ai, “konsumim i pritjeve të publikut.”
“Kësaj here është problematik mendoj unë. Unë jam i bindur që procesi nga fillimi ka qenë i dizajnuar për Glauk Konjufcën. Konsulimi me partitë opozitare ka qenë vetëm konsumim i pritjeve të publikut”, tha Gruda.
Ai akuzoi Kurtin se është i përqendruar te procedurat dhe te zgjerimi i pushtetit, e jo te zgjidhja e problemeve që prekin qytetarët.
“Krejt çka ka është kurthimi në kthinat e Kuvendit, në procedura, në kravatë të shtrëngume për me marrë më shumë e më shumë pushtet. Pangopësia për pushtet e Albin Kurtit po e mban Kosovën peng. Po na mban të gjithëve peng.”, tha deputeti i PDK-së.



