
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi, sot realizoi takim pune me ambasadorin e Italisë në Maqedoninë e Veriut, z.Karllo Romeo.
Bashkëbiseduesit folën edhe për reformat, Marrëveshjen e Ohrit dhe luftën e pakompromis ndaj korrupsionit në vend.
Zëvendëskryeministri i parë z.Grubi theksoi se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të jetë një ministri moderne dhe përgjegjëse e cila do të kontribuojë në kohezionin shoqëror dhe barazinë qytetare.
Zëvendëskryeministri Grubi me këtë rast i ka thënë ambasadorit Romeo se vlerëson përkrahjen sistematike që Italia ia ofron procesit të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësinë që shumë nga projektet e financuara nga shteti Italian përkrahin fuqishëm prioritetet e vendit për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij ambasadori italian Romeo është shprehur optimist se gjatë periudhës së ardhshme, Maqedonia e Veriut, njëjtë sikur edhe shtetet tjera do të angazhohet fuqishëm në drejtim të përforcimit të ekonomisë dhe të sigurimit të mbrojtjes përkatëse shëndetësore për qytetarët e saj nga Covid-19. Ai gjithashtu tha se vendin, përkatësisht institucionet shtetërore i pret një rritëm më i madh i punës në përmbushjen e agjendës evropiane, përfshirë këtu reformat në luftën kundër korrupsionit, reformat në gjyqësi dhe sundimin e së drejtës, reforma këto që Bashkimi Evropian u kushton vëmendje të veçantë.
Grubi dhe Romeo bashkëbiseduan edhe për rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë, duke përmendur në veçanti planin e tërheqjes më të madhe të investimeve italiane në vend si dhe diskutuan edhe për këmbimin e praktikave të përbashkëta që do të ndihmonin Maqedoninë e Veriut si anëtare e ardhshme e BE-së.