LajmeMaqedoniTopLajm

GRUBI: Përdorimi i gjuhës amtare është vlerë e çmuar e shtetit tonë të përbashkët

Me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhës amtare, përkatësisht
shënimit të Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare, sot
zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi organizoi tryezë të
rrumbullakët.

Në këtë debat ishin të pranishëm drejtori i Agjencisë për zbatimin e
gjuhës, z. Ylber Sela, drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave
të pakicave në RMV, z. Eran Kurtish, sekretari shtetëror në ministrinë e
arsimit dhe shkencës, z. Selatin Beluli, drejtori i drejtorisë për
arsim, z. Milutin Stançiq, drejtori i drejtorisë për kulturë, z. Admir
Ujkanoviq, drejtor i inspektoratit të gjuhëve, z. Fatmir Iseni dhe
zëvendësministri i Ministrisë për Sistemt politik, z. Ilhan Rahman.

Zëvendëskryeministri i parë para të pranishmëve ka thënë se përkrahja e
përdorimit të gjuhëve amtare nga ana e shtetit ka një rëndësi të
veçantë. Kushtetuta e vendit, por edhe Ligji i gjuhës mundëson
përdorimin zyrtar në nivel qendror dhe lokal të disa gjuhëve amtare dhe
bashkë me procesin arsimor që zhvillohet në disa gjuhë është treguesi më
i mirë që ne si shoqëri kemi bërë hapa para në ngritjen e vlerës së
gjuhëve amtare.

Nga ana e tij, drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhës, z. Ylber Sela
ka thënë se dallimet gjuhësore, karakteri multi-kulturor i shoqërisë në
RMV paraqet avantazh e jo handikap dhe që këto si specifika duhet të
kultivohen dhe avancohen sistematikisht në mënyrë që të sigurohet
kohezion shoqëror ndërmjet komuniteteve.

Ndërkohë drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të pakicave
në vend, z. Eran Kurtish në fjalën e tij në këtë tryezë të rrumbullakët
ka thënë se ngjarjet që bashkojnë komunitetet mes vete duhet të
organizohen më shpesh, kurse zëvendësministri për Sistem Politik, z.
Ilhan Rahman ka thënë se Maqedonia e Veriut mund të konsiderohet
shembull sa i përket mundësive ligjore me qëllim përdorimit të gjuhëve
amtare.

Drejtori i drejtorisë për arsim, z. Milutin Stançiq në fjalën e tij tha
se nxitjes së shumë gjuhësisë dhe përfshirjes në arsim dhe shoqëri duhet
të ketë vëmendje të veçantë në mënyrë që për fëmijët gjuha e tyre amtare
të jetë gjithmonë një avantazh.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi në fund të këtij debati gjithashtu ka
thënë se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet
Bashkësive gjithnjë e më shumë po merr një rol qendror në krijimin e
politikave gjuhësore dhe integrimit të bashkësive etnike në jetën
publike të vendit dhe natyrisht që një element shumë i rëndësishëm është
edhe bashkëpunimi me institucionet tjera që janë krijuar në frymën e
realizimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Kjo tryezë e rrumbullakët ishte vetëm fillimi i debateve që do të
organizohen jo vetëm në këtë temë, por edhe në të gjitha temat tjerat që
prekin koloritin e bukur të shumë kulturave në Republikën e Maqedonisë e
Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close