
Aktiviteti gripal në vend është në rritje të ndjeshme. Gjatë javës së 48-të të vitit 2025 (nga 24 deri më 30 nëntor), janë raportuar 114 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, tregojnë të dhënat e publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Krahasuar me javën paraprake, numri i rasteve është rritur me 25.3 për qind, ndërsa në krahasim me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, rritja shkon në 75.4 për qind, çka tregon se ky sezon i gripit po zhvillohet me intensitet më të lartë. Po ashtu, në raport me modelin statistik të 15 sezoneve të fundit, shënohet një rritje prej 2.7 për qind, duke treguar se jemi lehtësisht mbi nivelin e zakonshëm për këtë periudhë të vitit.
Rastet e kësaj jave janë raportuar në 11 qendra të shëndetit publik në vend. Numrin më të lartë të rasteve e mban Kumanova me 49 raste, pothuajse gjysma e rasteve të përgjithshme. Pason Strumica ME 16 raste, Shtipi – 11 raste, Tetova – 9 raste, Gostivari – 7 raste, Prilepi dhe Kavadari ME nga 6 raste, Makedonski Brod – 5 raste, Negotina – 3 raste, Radovishi dhe Shkupi – nga 1 rast. Këto të dhëna tregojnë një shpërndarje të gjerë gjeografike, megjithëse intensiteti varion ndjeshëm nga një rajon në tjetrin.
Gjatë sezonit 2025/2026, deri në fund të javës së 48-të janë regjistruar 776 raste, që paraqet një rritje prej 70.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar. Në krahasim me mesataren e 15 sezoneve të fundit, rritja shkon në 25.9 për qind, duke sinjalizuar se sezoni aktual është dukshëm më aktiv. Rastet janë raportuar në mënyrë kumulative nga 15 Qendra të Shëndetit Publik, duke treguar për një aktivitet gripal të përhapur në nivel kombëtar. Ndërsa Gostivari kryeson për nga numri absolut i rasteve, Makedonski Brod ka incidencën më të lartë kumulative – pra numrin më të madh të të sëmurëve për popullsi.
Sipas ISHP-së, shumica dërrmuese e rasteve – 584 raste – i përkasin grupmoshës 15 deri 64 vjeç, kategorisë më aktive në qarkullim social e profesional. Ky është një trend i zakonshëm për infeksionet respiratore, të cilat prekin më së shumti popullsinë në moshë pune për shkak të kontakteve të shpeshta. Instituti i Shëndetit Publik rikujton se vaksinimi kundër gripit sezonal mbetet masa më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj, veçanërisht për: personat e moshuar, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë, dhe grupet e tjera të rrezikshme. Vaksina, sipas ISHP-së, jo vetëm mbron individin, por ndihmon në uljen e qarkullimit të virusit në komunitet. Instituti apelon qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit, i cili është i disponueshëm në shumë qendra shëndetësore në vend.
Me afrimin e dimrit, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se rritja e rasteve pritet të vazhdojë dhe rekomandojnë kujdes të shtuar për mbrojtjen nga infeksionet respiratore. (koha.mk)



