Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 22 tetor dorëzoi aktakuzë kundër ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekiri, ndërsa sot Gjykata Themelore e Shkupit e ka miratuar aktakuzën ndaj tij.
“Pas procedurës hetimore dhe kontrollit nga i pandehuri dhe mbrojtja e tij, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup”.
“Sipas përshkrimit në aktakuzë, i akuzuari akuzohet se ka kryer vepër penale të vazhduar – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar. I akuzuari, si zyrtar – Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, me dashje ka kryer dy veprime të lidhura me kohën që paraqesin realizim të shumëfishtë të të njëjtit krim”.
“Me veprimet e tij, i pandehuri ka përfituar dobi pasurore kundërligjore në vlerë të konsiderueshme për dy personat juridikë në vlerë të përgjithshme prej 89.385.255 denarë (1.451.209 euro), me çka ka dëmtuar buxhetin e RMV-së”, thonë nga Prokuroria.
Më tej shtojnë se duke pasur parasysh rrethanat ndaj të akuzuarit, është kërkuar që t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.