LajmeTeknologji

Gjykata gjermane dënon kompaninë e inteligjencës artificiale Suno AI për shkelje të të drejtave të autorit

Një gjykatë në Mynih ka marrë një vendim që mund të krijojë precedent në nivel ndërkombëtar, duke dënuar kompaninë Suno AI, e cila gjeneron muzikë përmes inteligjencës artificiale, për shkelje të të drejtave të autorit.

Sipas vendimit, kompania do të duhet të zbulojë të ardhurat e përfituara dhe të dëmshpërblejë autorët, veprat e të cilëve janë përdorur pa leje. Akuzat lidhen me faktin se Suno AI ka trajnuar modelet e saj të inteligjencës artificiale duke përdorur në masë muzikë të mbrojtur nga e drejta e autorit.

Çështja u ngrit nga GEMA, organizata gjermane që administron të drejtat e autorit, e ngjashme me SIAE-n italiane. Presidenti i saj, Tobias Holzmueller, e cilësoi vendimin si një “verdict me rëndësi globale”, duke theksuar se ai mund të ndikojë në mënyrën se si modelet e inteligjencës artificiale trajnohen në të ardhmen.

Sipas Holzmueller, synimi i GEMA-s nuk është mbyllja e Suno AI, por krijimi i kushteve për negociata të barabarta me kompaninë, diçka që deri më tani nuk ka qenë e mundur. Çështja kryesore mbetet mënyra se si duhet të kompensohen autorët kur veprat e tyre përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale.

GEMA argumentoi në gjykatë se Suno AI krijon këngë sipas kërkesave të përdoruesve për një zhanër, stil ose atmosferë të caktuar, duke u bazuar në hite të njohura botërore si “Mambo No. 5” e Lou Bega, “Daddy Cool” e Boney M. dhe “Forever Young” e Alphaville. Sipas padisë, rezultatet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale janë shumë të ngjashme me versionet origjinale.

Kjo nuk është hera e parë që GEMA fiton një betejë ligjore ndaj kompanive të inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar ajo fitoi një çështje në Mynih edhe kundër OpenAI, duke e akuzuar për riprodhimin e paligjshëm të teksteve të këngëve. OpenAI e ka apeluar atë vendim dhe çështja është ende në shqyrtim.

Eksperti i pronësisë intelektuale në Universitetin e Amsterdamit, Martin Senftleben, tha për Deutsche Welle se rëndësia e çështjes qëndron edhe në faktin se padia nuk është ngritur nga një kompani private, por nga një organizatë kolektive që përfaqëson autorët. Sipas tij, kjo e bën veprimin ligjor më të fortë dhe më gjithëpërfshirës, pasi mbron jo vetëm artistët e njohur, por edhe krijuesit më pak të famshëm.

Related Articles

Back to top button
Close
Close