
Gjermania dhe Danimarka janë përfshirë nga temperatura rekord ndërsa vala e të nxehtit në Evropë është zhvendosur drejt lindjes.
Nga Skandinavia deri në Alpet Evropiane, qytetarët u përballën sot me kushte klimatike përvëluese, ndërsa një valë e të nxehtit, u përhap drejt lindjes, me temperatura që thyen kufirin e 40°C në disa zona, raportoi “Reuters”.
Danimarka regjistroi temperaturat më të larta të të gjitha kohërave, ndërsa edhe Britania e Madhe, Franca, Zvicra dhe Gjermania përjetuan më herët, temperatura rekord për muajin qershor, përpara se sistemi meteorologjik të zhvendosej drejt Polonisë.
Shkencëtarët deklarojnë se kjo valë e të nxehtit, do të kishte qenë praktikisht e pamundur, pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat kanë bërë që, temperaturat e kësaj jave të ishin deri në 100 herë më të mundshme sesa dy dekada më parë.
Vala e të nxehtit pritet të kulmojë gjatë fundjavës me mbi 40°C në disa pjesë të Gjermanisë.
Ditën e djeshme, një rekord i ri kombëtar prej 41,3°C u regjistrua pranë qytetit Saarbrücken, pranë kufirit me Francën, sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman.
Ndërkohë, Instituti Meteorologjik Danez raportoi sot një temperaturë prej 37°C në veri të Aarhusit, temperatura më e lartë e regjistruar që nga viti 1874.
Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime ekstreme për pothuajse, të gjithë Gjermaninë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të kursejnë ujin.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42°C në disa zona, ndërsa edhe në Poloni ato i kanë kaluar ndjeshëm 30°C.
Në Francë, dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit.
Temperaturat mbi 40°C kanë ndikuar në transportin hekurudhor, prodhimin e energjisë dhe kanë detyruar anulimin e aktiviteteve publike, mbylljen e shkollave dhe kufizimin e eventeve në natyrë.
Në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq për 18 qytete, përfshirë në Milano, Romë, Torino, Venecia, Gjenovë, Firence dhe Bolonja, me temperatura deri në 39°C.
Në Bolzano u raportua edhe nata më e nxehtë e muajit qershor e regjistruar ndonjëherë.
Autoritetet në Francë paralajmërojnë se, ndonëse vala e të nxehtit, po tërhiqet gradualisht, presioni mbi sistemin shëndetësor do të vazhdojë edhe për disa ditë, ndërsa rastet e shtrimeve në spitale mbeten të larta.
Zjarret në Francë janë shtuar krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa infrastruktura evropiane po përballet me dëmtime të shumta: rrugë që deformohen, shina treni që zgjerohen dhe kufizime në transport.



