
Gazment Bardhi ka ftuar Lulzim Bashën të përballet me të nëse dëshiron vërtet postin e kreut të grupit parlamentar. Ai e ka ftuar Bashën në takimin e nesërm që do të mbahet mes deputetëve të opozitës.
Bardhi tha se e fton Bashën që të jetë pjesë e këtij takimi dhe nëse arrin të marrë votat e deputetëve për të qenë kreu i grupit demokrat, edhe ai do t’i jepte votën Lulzim Bashës.
Por, sipas Bardhit, ky takim ka si qëllim unifikimin e opozitës përballë mazhorancës së drejtuar nga kryeministrit Rama ndërsa shtoi se koha kur skandalet qeveritare mbuloheshin me debate nga vetë deputetët e opozitës duhet të marrë fund.
“Koha kur skandalet qeveritare mbuloheshin nga debatet mes vetë deputetëve të opozitës do të duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë funksionale, jo një opozitë që zihet mes vetes dhe i krijon lehtësinë e domosdoshme një qeverie të korruptuar.
Ky është qëllimi i takimit të nesërm. Cilido deputet që e ndjen veten opozitar është i ftuar në këtë takim të përbashkët të 59 deputetëve të dalë nga lista e Partisë Demokratike. Sigurisht që z. Basha si një prej 59 deputetëve është i ftuar të marrë pjesë në këtë takim.
Aty ka të gjithë mundësinë e tij për të shprehur ambicien për t’u zgjedhur kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike do duhet të bëjë 18 vota, vota e 19 pro do të jetë e Gazment Bardhit.
Takimi i nesërm është për të unifikuar një axhendë të përbashkët parlamentare të gjithë bashkë si deputetë të opozitës. Ftoj kolegët të bëhen pjesë e atij takimi, do të jemi të gjithë në një sallë për të diskutuar se si ka funksionuar opozita përgjatë këtyre 2 viteve dhe për të ndërtuar një aksion politik të përbashkët”, u shpreh Bardhi në një prononcim për mediat para fillimit të seancës plenare të sesionit të ri parlamentar.



