
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarë theksoi se duhet të ketë një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm për të filluar një procedurë në dhomën ligjdhënëse për revokimin e mandatit të kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, e cila akuzohet për zbulimin e sekreteve zyrtare dhe falsifikimin e provimit për marrjen e certifikatës së sigurisë.
Ai theksoi se Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet të vendosë për këtë çështje.
“Duhet të ketë një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm. Siç e dini, procedura është e përcaktuar në Rregulloren e Punës dhe Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do të vendosë për këtë. Pra, nëse ka ndonjë procedurë, ajo duhet të iniciohet nga ai Komision. Dhe nëse ata vendosin, mund të marrin çdo vendim. Për shkarkimin, ata duhet të marrin një vendim dhe kjo duhet të përpunohet në një seancë plenare. Çfarëdo që të vendosë Komisioni, unë do ta përpunoj në një seancë plenare. Por, po, ligji është i qartë, do të thotë nuk flet për ngritjen e aktakuzave, por për një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm. Kjo është pjesa ku deputetët duhet të mendojnë. Kushte ligjore nuk ka ende, por pjesa për reputacionin, nëse dikush mund ta udhëheqë atë organ, ndërsa ka të ngritur aktakuzë, kjo është më shumë çështje etike dhe reputacioni, dinjiteti i udhëheqjes së atij institucioni. Megjithatë, mbetet te Komisioni”, tha kryetari i Dhomës ligjdhënëse.
Gashi theksoi se kryetarja e KSHPK-së ende nuk e ka paraqitur dorëheqjen e saj në Kuvend. Ai potencoi se nisma për shkarkimin e Dimitrovskës duhet të vijë nga deputetët.
“Sipas mendimit tim, kushtett ligjore nuk janë përmbushur. Ata nuk mund ta bëjnë këtë në mënyrë të paligjshme. Ata megjithatë do të duhet të vendosin. Ai Komision ka një deputet që e drejton, ka një rregullore. Dhe sidomos kur zgjedhin kryetarë kaq të rëndësishëm të komisioneve të rëndësishme, duhet të ketë pasur raste më parë se si janë marrë vendime. Shoh se edhe në opinion ka njëfarë rezerve. Nuk është e lehtë të përfshihesh në këtë, sepse dikush mund ta kundërshtojë atë administrativisht, dhe pastaj të shkojë në Gjykatën Administrative, etj. Ata janë të kujdesshëm në atë pjesë. Të veprohet, ndërsa të mos shkaktohet dëm”, tha Gashi.
Dimitrovska që gjatë hetimit publikoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozicioni i saj, sepse beson se pa një vendim gjykate, të gjithë janë të pafajshëm. Me sugjerimin e Prokurorisë, asaj i është ndaluar të veprojë në rastet e KSHPK-së për disa muaj, nuk i lejohet të marrë postë, ndërsa gjykata i ka konfiskuar edhe pasaportën.




