LajmeMaqedoniTopLajm

Gallup: Mbizotëron pesimizmi, qytetarët presin që viti 2023 të jetë më i keq se viti 2022

Në prag të vitit 2023, pritjet e opinionit për të ardhmen mbarë botën janë tejet të ndryshme dhe bota duket shumë më pak e bashkuar sesa vitet e mëparshme. Pesimizmi mbizotëron, prosperiteti ekonomik duket se po zhduket dhe frika nga përdorimi i armëve bërthamore është në një nivel të paprecedent. Edhe pse tradicionalisht mbizotëron lumturia personale, në tërësi në botë është më e ulët se më parë.

Këto janë pjesë e rezultateve nga hulumtimi i Asociacionit ndërkombëtar “Gallup Internacional” për fundvit që tradicionalisht është bërë në dekadat e fundit.

Në Maqedoninë e Veriut, 80 për qind e të anketuarve presin që viti 2023 të jetë më i keq ose i njëjtë me vitin e kaluar. Më shumë se gjysma (57 për qind) presin një vit me vështirësi ekonomike, por në nivel personal, pothuajse gjysma deklaruan se ndihen të lumtur.

Këto janë disa nga rezultatet e hulumtimit të Institutit Ndërkombëtar “Gallup Internacional” për fundvit – një anketë tradicionale të dekadave të fundit. Viti i ri 2023 vjen me pritje mjaft pesimiste. Më pak se një e treta (31 për qind) e të anketuarve besojnë se viti 2023 do të jetë më i mirë se 2022. Mendimin e kundërt e ndajnë 34 për qind dhe 27 për qind besojnë se viti 2023 do të jetë i njëjtë me atë paraprak. Rezultatet tregojnë më shumë pesimizëm krahasuar me vitet e mëparshme dhe tabloja tani është e ngjashme me qëndrimet e fundit të vitit 2008, i cili ishte viti më pesimist në botë në shekullin e ri.

Në Maqedoninë e Veriut, kur u pyetën: “Sa ju përket juve, a mendoni se viti 2023 do të jetë më i mirë, më i keq apo i njëjtë me vitin 2022?”, 14 për qind e qytetarëve të anketuar deklaruan se do të jetë më mirë, 44 për qind thanë se do të jetë më keq, 36 për qind se do të jetë njësoj si viti 2022, ndërsa gjashtë për qind nuk ​​dinin ose nuk kishin përgjigje.

Pritjet për ekonominë, thuhet, po ashtu tregojnë rritje të vazhdueshme të brengosjes. Tani 21 për qind të njerëzve presin prosperitet ekonomik për vendin e tyre në vitin që vjen, pothuaj gjysma (48 për qind) janë të gatshëm për vështirësi ekonomike dhe një e katërta vlerësojnë se viti 2023 do të jetë i njëjtë si viti 2022. Të tjerët nuk mund të vlerësojnë, shkruan gazeta KOHA.

“Këto qëndrime e vazhdojnë trendin negativ për shpresat për prosperitet negativ, i cili filloi para disa viteve – në vitin 2016 u regjistrua pika e shkeljes dhe viti 2020 me pandeminë “Kovid-19” dukej se është viti me pritjet më të këqija pas krizës në vitin 2008. Por, qëndrimet duken shumë të ngjashme ose madje edhe më keq se ato në fund të vitit 2020. Megjithatë, bota nuk është aq negative lidhur me pritjet ekonomike sa në vitin 2008 me krizën e saj”, thuhet në hulumtim.

Qytetarët e anketuar në vend në pyetjen: “Në krahasim me këtë vit, sipas jush, nëse viti i ardhshëm do të jetë viti i prosperitetit ekonomik, vështirësive ekonomike ose do të mbetet i njëjtë për vendin tonë?, 12 për qind thanë se do të jetë vit i prosperitetit ekonomik, 57 për qind se do të jetë vit me vështirësi ekonomike, 26 për qind se do të jetë i njëjtë si ai paraprak, ndërsa katër për qind nuk dinë ose nuk kanë përgjigje.

Shpresat për botën dhe ekonominë e saj ndoshta janë në rënie, por fati personal ende mbisundon. Megjithatë, duket se është në rënie të vazhdueshme viteve të fundit. Shumica (54 për qind) nga njerëzit të kombeve të ndryshme konsiderojnë veten si mjaftë të lumtur, madje edhe shumë të lumtur. Më shumë se një e dhjeta e konsiderojnë veten për shumë të palumtur ose të palumtur, ndërsa një e treta nuk janë as të lumtur as të palumtur.

Në Maqedoninë e Veriut qytetarët e anketuar në pyetjen “Marrë në përgjithësi, a ndjeheni ju personalisht shumë të lumtur, të lumtur, as të lumtur as të palumtur, të palumtur ose shumë të palumtur në jetë?”, pesë për qind kanë thënë se janë shumë të lumtur, 44 për qind janë të lumtur, 38 për qind as të lumtur as të palumtur, 9 për qind janë të palumtur, katër për qind janë shumë të palumtur.

Megjithatë, u paraqit një hije e re dhe e vështirë, e cila erdhi me luftën në vitin 2022. Në fund të vitit 2022, 38 për qind e njerëzve në mbarë botën shohin rrezik të lartë nga përdorimi i armës bërthamore në kohën e tanishme. Të tjerë 38 për qind mendojnë se ekziston rrezik mesatar, ndërsa vetëm 14 për qind nuk shohin rrezik nga përdorimi i armës bërthamore në kohën e afërt.

Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut në pyetjen “Sipas jush, cili është rreziku i përdorimit të armës bërthamore në kohën e sotme – pa rrezik, mesatar ose rrezik të lartë?” i dhanë këto përgjigje: 11 për qind vlerësojnë se nuk ka rrezik, 27 për qind vlerësojnë se ka rrezik mesatar, 58 për qind vlerësojnë se ka rrezik të lartë dhe katër për qind nuk e dinë.

“Perëndimi më nuk është fole e optimizmit dhe prosperitetit siç ishte në të kaluarën sipas banorëve të tij. Gjithnjë e më shumë njerëz e kuptojnë se lufta nuk është afër Evropës – lufta është në Evropë. Ndërsa Bashkimi Evropiane është projekt për paqe para së gjithash. A do të mbijetojë, në vitin e ardhshëm 2023, është nën pikëpyetje serioze”, tha Kanço Stojçev, kryetar i Gallup Internacional Association.

Hulumtimi “Fundi i vitit” (End of Year Survey) i Galup Internacional është traditë që nga viti 1977 dhe zbatohet çdo vit. Këtë vit u zbatua në 34 vende të botës gjatë muajve tetor-dhjetor 2022 me çka ishin intervistuar gjithsej 35.664 persona. Në vendin tonë BRIMA e realizoi hulumtimin me anketë në teren, sy më sy, në shtëpinë e të anketuarit, në shembullin e përfaqësimit kombëtar me 1206 të anketuar të moshës mbi 15 vjet, në periudhën prej 1 deri 19 dhjetor.

Related Articles

Back to top button
Close
Close