LajmeTeknologji

Fundi i një epoke! Sony i jep lamtumirën disqeve fizike të PlayStation

Një nga simbolet më ikonike të industrisë së videolojërave po i afrohet fundit. Sony ka konfirmuar se do të ndalojë prodhimin e disqeve fizike për konsolat PlayStation dhe, duke nisur nga janari i vitit 2028, do të kalojë plotësisht në shpërndarjen dixhitale të lojërave.

Vendimi shënon fundin e një tradite që ka nisur me PlayStation-in e parë në vitin 1994, kur disqet CD ishin zemra e eksperiencës së lojtarëve. Pas vitit 2028, të gjitha titujt e rinj do të jenë të disponueshëm ekskluzivisht në format dixhital përmes PlayStation Store dhe partnerëve të autorizuar që ofrojnë kode digjitale.

Sony sqaron se ky tranzicion nuk prek lojërat ekzistuese në format fizik dhe as ato që do të publikohen përpara janarit 2028. Përdoruesit do të mund të vazhdojnë t’i përdorin dhe t’i blejnë ato si zakonisht.

“Kjo është një lëvizje natyrale për Sony Interactive Entertainment, në përputhje me mënyrën se si konsumatorët po zgjedhin gjithnjë e më shumë përmbajtjen dixhitale,” deklaroi kompania. Sipas saj, preferenca për shkarkimet online tashmë ka tejkaluar ndjeshëm blerjet e lojërave në disk, duke e bërë të domosdoshëm këtë transformim.

Kompania japoneze, e themeluar në vitin 1946 me emrin Tokyo Tsushin Kogyo K.K., prezantoi konsolën e parë PlayStation në vitin 1994, duke revolucionarizuar industrinë e videolojërave. Gjatë tre dekadave, PlayStation është shndërruar në një nga markat më të suksesshme të argëtimit, ndërsa sot gjenerata më e fundit është PlayStation 5.

Njoftimi vjen vetëm pak muaj përpara publikimit të shumëpritur të Grand Theft Auto VI (GTA 6), që analistët e konsiderojnë si lansimin më fitimprurës në historinë e industrisë së argëtimit. Fansat kanë pritur mbi një dekadë për vazhdimin e serisë, pasi GTA V u publikua në vitin 2013. Pas disa shtyrjeve, publikimi i lojës pritet të ndodhë më 19 nëntor.

Kalimi drejt shpërndarjes dixhitale reflekton një ndryshim të madh në mënyrën se si konsumatorët blejnë dhe luajnë videolojërat. Sipas të dhënave nga kompania e analizave Circana, gjatë vitit 2025 lojtarët shpenzuan vetëm 1.5 miliardë dollarë për blerjen e videolojërave të reja në format fizik – niveli më i ulët që nga viti 1995, kur nisën matjet e tregut. Për krahasim, kulmi i shitjeve të lojërave fizike u regjistrua në vitin 2008, me 11.6 miliardë dollarë.

Vendimi i Sony-t konfirmon një realitet që industria e videolojërave po e përjeton prej vitesh: epoka e disqeve fizike po mbyllet, ndërsa e ardhmja e gaming-ut do të jetë gjithnjë e më shumë e bazuar në shkarkime, cloud dhe shërbime dixhitale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Related Articles

Back to top button
Close
Close