LajmeMaqedoniTopLajm

“Forin polisi” / Rrëfimi për suksesin e Maqedonisë së Veriut mund të përfundojë.

Nëse Ballkani ka një histori të suksesshme, kjo me siguri është Maqedonia. Në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, vendi u nda në mënyrë paqësore nga Jugosllavia. Në qershor të vitit 2018 kryeministri i saj Zoran Zaev nënshkroi marrëveshje historike me Greqinë fqinje për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar për emrin Maqedoni. “Maqedonia e Veriut” e ribrenduar është shpërblyer për shkak të kësaj. Hyri në NATO si anëtare e 30-të e kësaj organizate, tani është në fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa mbështetja nga institucionet perëndimore është e madhe, bën të ditur revista “Forin polisi” në analizën kushtuar zgjedhjeve në vend.

Kjo revistë bën të ditur se LSDM-ja e Zaevit fitoi më së shumti vota në zgjedhjet, që u mbajtën në kushte të rritjes së numrit të të infektuarve nga Kovid-19 në gjithë rajonin, duke fituar dy mandate parlamentare më shumë se rivali kryesor, partia djathtiste VMRO-DPMNE dhe ka gjasa të madha që ta kryesojë qeverinë e ardhshme.

– Ky është lajmi i mirë për BE-në dhe për SHBA-në. Megjithatë, nga një perceptim më i afërt, historia e suksesshme e Maqedonisë së Veriut nuk është edhe aq bindëse. Por, nëse asgjë tjetër, zgjedhje hodhën dritë mbi sfidat reale me të cilat përballet vendi, shtohet në analizën.

„Forin policis“ vlerëson se në këto zgjedhje kanë ardhur në shprehje porositë populiste nacionaliste të drejtuara deri te votuesit.

– E mbështetur nga kryeministri hungarez Viktor Orban, lideri i vetëshpallur i “demokracisë joliberale” në Evropë, VMRO-DPMNE-ja e përfundoi garën duke ngecur pak pas fituesit. Njëra prej temave kryesore të partisë në fushatë ishte pakënaqësia nga Marrëveshja me Greqinë. Lideri i partisë Hristijan Mickoski dhe ithtarët e tij i shmangeshin përdorimit të emrit “Maqedonia e Veriut” gjatë fushatës dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në opozitë. Njëherësh, VMRO-DPMNE-ja nuk tërhiqet as kur bëhet fjalë për zgjidhjen e kontesteve afatgjate me anëtaren e BE-së Bullgarinë, e cila ushtron presion ndaj Shkupit për lëshime në raport me atë që të dyja palët tani e quajnë “histori e përbashkët”, duke përfshirë edhe trashëgiminë e personaliteteve historike, të cilat në dyja shtetet konsiderohen si heronj kombëtar, shton revista politike amerikane.

Megjithatë, sipas “Forin Polisi”, nacionalizmi politik në këto zgjedhje nuk ishte karakteristikë vetëm për të djathtën, duke bërë të ditur se partia majtiste “E Majta” arriti të fitojë më shumë se katër për qind të votave dhe dy vende parlamentare me “premtimin se do të shfuqizojë Marrëveshjen me Greqinë, do ta tërheqë vendin nga NATO, po madje edhe do ta anulojë njohjen e Kosovës fqinje”.

– Korrupsioni, gjithashtu, shkakton brengosje serioze. VMRO-DPMNE-ja përfitoi nga skandale e ndërlidhura me Lidhjen Socialdemokrate, duke përfshirë edhe nga rasti i korrupsionit në të cilin ishte përfshirë prokurorja speciale Katica Janeva, e cila ishte emëruar për shqyrtimin e keqpërdorimeve të funksionarëve të lartë, bën të ditur revista.

Por, sipas “Forin polisi”, as e djathta në vend nuk është e pagabueshme kur bëhet fjalë për korrupsionin, duke bërë të ditur se ish-kryeministri Nikolla Gruevski nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ishte akuzuar për shpërdorim dhe tregtim me ndikim dhe i dënuar me dënim me burg, por “u arratis nga drejtësia duke gjetur strehim në Hungari”.

– Prokuroria speciale në Maqedoninë e Veriut, e krijuar nga BE-ja në vitin 2015, në mënyrë që të nxisë përgjegjësi të funksionarëve të lartë, përjetoi dështim për shkak të aferës së Janevës. Ndërkohë, ligji i ri me të cilin autorizohet prokurori publik t’i ndjekë politikanët e korruptuar dhe lidhjet e tyre afariste, që Kuvendi e miratoi si parakusht për marrjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, tek tani duhet ta tregojë efikasitetin e tij.

Qeveria e ardhshme pa dyshim në mënyrë retorike do t’i mbështesë reformat në sundimin e së drejtës në mënyrë që ta kënaqë Evropën, por zbatimi i tyre do të mbetet sfidë, bëhet e ditur në analizën.

„Forin polisi” vlerëson se pjesërisht problemet me korrupsionin janë pasoja të faktit se bëhet kompromis mes paqes ndëretnike dhe mënyrës së menaxhimit të mirë, duke bërë të ditur se ndarja e pushtetit mes përfaqësuesve politik të grupeve etnike është me rëndësi kyçe për modelin në vend.

– Shqiptarët janë bashkësia më e madhe dhe në zgjedhjet e fundit Bashkimi Demokratik për Integrim e ruajti pozitën e vet të liderit në mesin e bashkësisë shqiptare. Dhe tani Lidhjes Socialdemokrate i nevojitet mbështetje nga kjo parti për formimin e Qeverisë. BDI-ja është larg asaj e të qenë e pagabueshme, por prej saj sërish varet se kush do të qeverisë. Lideri i saj Ali Ahmeti i tejkaloi konkurrentët, duke përfshirë edhe Lëvizjen Besa, e cila ishte pjesë e koalicionit të socialdemokratëve, duke luajtur në letrën nacionaliste. Partia insistonte në atë se Maqedonia e Veriut duhet ta ketë kryeministrin e parë shqiptar. Madje edhe nëse ky është truk për bisedime, kjo kërkesë mund t’i forcojë tensionet etnike, vlerëson revista.

Në analizën bëhet e ditur se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Perëndimin, i cili edhe vetë pësoi ndryshime të mirëfillta ndonëse përkushtimi i vendit ndaj NATO nuk është vënë në pikëpyetje, aderimi drejt BE-së është arsye për brengosje, meqë zgjerimi më nuk është prioritet për vetë Bashkimin.

– Për presidentin francez Emanul Makron, si dhe për liderët tjerë evropianë, në vend të parë është konsolidimi i brendshëm (i BE-së), duke filluar me reforma në eurozonën. Prandaj, Franca vendosi veto për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar në tetot dhe dha dritë jeshile madje pasi Komisioni Evropian u akordua me ndryshime në kornizën e bisedimeve. Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në maj – të mbajtur përmes lidhjes së video-konferencës – më shumë flitej për “perspektivën evropiane”, sesa për anëtarësimin, detal ky që nuk kaloi i pavërejtur në rajon, shtohet në tekstin.

Sipas revistës, vendi me siguri do të ngecë në bisedimet për anëtarësi në pjesën më të madhe të dekadës së ardhshme, që mund të rezultojë me kalimin e kohës të zhduket përkushtimi ndaj reformave dhe gatishmëri për përmbushjen e kërkesave të Brukselit.

– Deri tani, Maqedonia e Veriut luan sipas skenarit perëndimor. Megjithatë, ajo lufton në betejë të vështirë në të cilën fitorja e lehtë nuk është në horizont, konstaton “Forin polisi”.

linku https://foreignpolicy.com/2020/07/24/north-macedonia-success-story-nato-eu-populism/

Related Articles

Back to top button
Close
Close