OpinionTopLajm

Flaka Surroi / Çajmë dërrasa

linku https://www.koha.net/veshtrime/229901/cajme-derrasa/

Reagimi sikur ky i OVL-së, që në masë të tregohet përkrahja, është edhe një arsye se pse Thaçi nuk ka dhënë dorëheqje në çastin kur ka kuptuar për aktakuzë, pavarësisht se ajo nuk është konfirmuar. Për shkak se Thaçi ka nevojë të dëshmojë se ka kontroll mbi shumë njerëz që janë pjesë e armatës së madhe të veteranëve, prej të cilëve gjysma janë të rrejshëm – e që mund të jenë burim trazirash eventuale, po pati nevojë për to. E që ato të mos ndodhin, duhet pasur dikush që mund t’i kontrollojë

Me gjasë u bëmë të gjithë COVID – janë tashmë javë në të cilat na dalin të infektuar treshifrorë dhe përditë ka nga 4-6 vdekje nga virusi. Më në fund e kuptuam se maskat duhet mbajtur, si edhe distancën, të cilën, megjithatë, me kryeneçësi refuzojmë ta bëjmë nëpër lokale të kafeve dhe të ushqimit.

Prishtina tashmë e ka thuajse një të tretën e të infektuarve dhe një numër të madh të viktimave që nuk e përballuan luftën me armikun e padukshëm, për të cilin jo pak njerëz thonë se nuk ekziston.

Nuk po e di se pse ende befasohem me deklarata të këtij lloji që bëhen nga njerëz që megjithatë kanë shumë ndjekës mes masës, kur po e di që pas deklaratave të tilla qëndron vetëm interesi personal dhe asgjë tjetër.

E këta njerëz do të duhej ta dinin se pandemia i ka bërë dëm krejt Kosovës dhe krejt bizneseve, pavarësisht a janë kafe a restorante apo nuk janë, ngase humbja e qarkullimit të parasë në treg e ka efektin zinxhir – dhe doemos do t’i prekë të gjithë.

Pakoja emergjente mbas pilafit

Nuk më befason as ngathtësia e politikës për të ofruar përkrahje emergjente për popullatën e prekur, pavarësisht nëse ka apo nuk ka biznes. Dhe nuk befason për shkak se para mund të mos ketë për shumëçka, porse përherë ka për shërbimin publik. Aty sagllam paratë që mblidhen në kufi nga importet shkojnë direkt për rrogat e shërbyesve civilë e publikë, duke e diskriminuar dyfish sektorin privat: i kanë rrogat më të mëdha sesa sektori privat dhe ata nuk duhen menduar nëse do të ketë para për t’ua paguar rrogat, tatimet e kontributet.

Pakoja emergjente që u miratua që nga fillimi i pandemisë nuk u përmbush. Rrogat e prillit ende nuk janë paguar, e nuk janë paguar as qiratë e as kontributet. Afati i dhënë nga ATK-ja për shtyrjen e afateve të pagesave ka skaduar dhe tash ATK-ja ka nisur t’u çojë vërejtje taksapaguesve për vonesat. Ekziston rreziku shumë real që bizneseve t’u bllokohen xhirollogaritë për shkak të vonesave, ndërkohë që nuk ka asnjë indice që ky problem do të mund të zgjidhej me riprogramimin e borxhit dhe marrëveshjes së larjes së obligimeve me këste.

Se sa janë të papërgjegjshëm pushtetarët e tregon fakti se pakoja emergjente nuk është realizuar për pikë të inatit: në kohën kur qeverisnin VV-LDK nuk kishte gatishmëri që të votohej çfarëdo që do ta mundësonte përmbushjen e planit. Tash, kur udhëheq LDK-ja me një varg partish, sërish nuk ka gatishmëri nga ana e VV-së që ta përkrahë këtë rishikim buxheti. Nga ky buxhet, e deshëm ose jo, do të varen edhe pakoja emergjente, e edhe ajo e rimëkëmbjes ekonomike që, megjithatë, nuk do ta mbërrijë njëmiliardëshin që e përmendte Hoti që në fillim kur e mori detyrën e kryeministrit.

Shtet i cili nuk është në gjendje t’i paguajë 170 milionë të një pakoje emergjente që do të realizohet (nëse realizohet) madje me katër muaj vonesë, zor që i mbledh 1 miliard, pos nëse e ka ndërmend që këtë shumë ta harxhojë për nja dy vjet a tre.

Dëshpëruese krejt çka po ndodh me këtë shtet e me këtë qeveri, e me këtë popull – me të vetmin vend në botë që rrëzoi qeverinë midis pandemie, për ta zgjedhur një qeveri të re që prej ditëve të para e vazhdon avazin e vjetër.

Dostllëku vazhdon

E se asgjë nuk ka ndryshuar prejse erdhi kjo Qeveri e dëshmon më së miri Ministria e Jashtme. Mandatet u vazhdohen kushërinjve; bëhen rokada sipas interesave partiake dhe madje ndërrohet sekretari, i cili me një lëvizje urgjente transferohet nga një ministri në tjetrën, kalon nëpër një departament për dy javë, dhe emërohet sekretar i përgjithshëm, pavarësisht se është ushtrues detyre.

Ndërkohë Qeveria i mban jashtëligjshëm 14 sekretarë e drejtorë agjencish, shpall konkurs për sekretarë të rinj dhe nuk i akomodon të vjetrit, të cilët do të vazhdojnë të paguhen nga një mijë euro në muaj. E këndej nuk ka para për pakon emergjente. Kaq thjesht.

E ky dostllëk në fakt ka qenë edhe pjesa më e madhe e kupës së mbushur që quhej PTK, së cilës para dy ditësh iu bllokuan llogaritë bankare, për shkak se “Z-Mobile” e futi në funksion vendimin e arbitrazhit nëpërmjet përmbaruesit.

Kompania e vetme që me vite ishte në pozitë të krijonte fitim që ndihmonte jo pak buxhetin e Kosovës, u katandis në një send thuajse të pavlerë, për shkak se kështu e kishin ideuar ata që e kishin pasur për qejf që ta blinin për pak para.

Vetëm te ne bën vaki që të lidhet një kontratë ku ai që t’i shfrytëzon asetet fiton trefish më shumë se ti. Vetëm te ne bën vaki se kur vendos të mos i japësh më numra, “partneri” të padit dhe ti i humb 26 milionë. Veç te ne bën vaki që aksionet e Telekomit t’i shiten në tentativë një kompanie fantome, e cila jo vetëm që nuk mundet me i mbledhë paratë për t’i blerë ato për një shifër qesharake, por edhe të çon në arbitrazh. Dhe veç te ne bën vaki që të angazhohen konsulentë e të paguhen miliona për të të bërë analizë financiare e plan biznesi e që në fund të arrish në pikën se është më mirë të bankrotosh sesa të vazhdosh të vegjetosh.

PTK-në e ka shkatërruar dostllëku dhe parja që ka shkuar tek ata që prej vitesh e kanë kontrolluar atë. Punësimi i gjithë atyre familjarëve në Telekom, me gjithë ato rroga – kishte për qëllim zhvlerësimin e tij dhe shitjen për pak para. Tash duket se ka mbërritur akti i fundit i shfaqjes, ku kjo njëmend mund të ndodhë. I shtrirë përtokë, Telekomi ose duhet të falimentojë, ose të shtetëzohet plotësisht, ose të shitet për pak para.

Nëse duhet kthyer Telekomin nën kontrollin e plotë të shtetit, do të duhej nisur nga e para: të caktohet se ky institucion nuk ka nevojë për më shumë se, ta zëmë, një mijë punëtorë; që rrogat t’u përgjysmohen dhe që paratë të orientohen në ofrimin e internetit më parë sesa telefonisë, të cilën dita më ditë klientët e përdorin më pak e më pak. Nëse diku duhet shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë ky është Telekomi. Është turp në çfarë derexheje ka rënë, për qejfe politike. Kurse ne, qytetarët, si zakonisht, heshtim.

Thaçi në Hagë

Njëri nga përgjegjësit kryesorë të shkatërrimit të Telekomit është natyrisht Hashim Thaçi. Në kohën kur ai kishte qenë kryeministër ishte lidhur marrëveshja me “Dardafonin” (2009) nga njeriu që ai e kishte sjellë në post kryeshefi. I gjithë shkatërrimi i mëtejmë i PTK-së kishte ndodhur gjatë kohës sa ky ka qenë kryeministër, e mandej edhe zëvendëskryeministër.

Por PTK-ja nuk kishte qenë arsyeja se përse ishte ftuar në Hagë, disa javë pasi iu ngrit aktakuza nga Gjykata Speciale.

Të hënën, e më pas edhe tri ditë të tjera u mor në pyetje në prezencën e një avokati amerikan, supozojmë të shtrenjtë, që e kishte angazhuar për ta mbrojtur.

Për dallim nga të tjerët që ishin ftuar në Hagë, e që kishin zgjedhur që kryesisht të mbroheshin në heshtje, Thaçi vendosi të fliste në seanca, siç do t’i quante ai, “shumë produktive”.

Produktive do të mund të ishte një seancë negociatash – pra, do të imagjinonim, dhënie informatash që do të mund t’i inkriminonin të tjerët në këmbim për amnisti apo aktgjykim më të butë – kjo në situatën hipotetike po qe se ndodh vërtetimi i aktakuzës.

Sido që të jetë, një gjë qe indikative – dhe kjo ishte përcjellja që Thaçit ia bënte ambasadori i Kosovës në Holandë. Thaçi nuk ka aktakuzë si kryetar i shtetit, por si individ. Nuk është punë e ambasadorit ta përcjellë këdo në gjykatore – kjo punë është e konsullit dhe jo përherë – e kaq do të duhej ta dinte edhe Thaçi, meqë dikur ka qenë ministër i Jashtëm, por edhe ambasadori. Sepse në Hagë nuk po merret në pyetje Kosova, por Hashim Thaçi, qytetar i Kosovës.

Thaçi u kthye mbrëmë. Në Morinë kishin dalë ta prisnin me qindra veteranë me vetura që e kishin bllokuar autostradën, e që as policia nuk mund t’i kontrollonte. Në Morinë nuk kanë vlejtur masat e distancimit social, përfundimisht.

Dalja e OVL-së në fakt ka pasur për qëllim ta përçojë porosinë të cilën e përçonte ambasadori: se në Hagë po merrej në pyetje Kosova e jo Hashim Thaçi. Madje OVL-ja doli me deklaratë se Thaçi në Hagë e kishte mbrojtur Kosovën, ani pse detajet nga marrja në pyetje nuk janë bërë publike për shkak se ashtu e kërkon procedura.

Pikërisht reagimi sikur ky i OVL-së, që në masë të tregohet përkrahja, është edhe një arsye se pse Thaçi nuk ka dhënë dorëheqje në çastin kur ka kuptuar për aktakuzë, pavarësisht se ajo nuk është konfirmuar. Për shkak se Thaçi ka nevojë të dëshmojë se ka kontroll mbi shumë njerëz që janë pjesë e armatës së madhe të veteranëve, prej të cilëve gjysma janë të rrejshëm – e që mund të jenë burim trazirash eventuale, po pati nevojë për to. E që ato të mos ndodhin, duhet pasur dikush që mund t’i kontrollojë.

Kthimi i Thaçit në Kosovë e kthen në pozitën ku ende mund të marrë vendime jo pak të rëndësishme në petkun e kryetarit të shtetit, derisa e pret vendimin e gjykatës për konfirmim ose jo, deri në tetor. Ndërkohë, do të ketë kohë të mjaftueshme për ta ndërtuar planin B, në rast se detyrohet të japë dorëheqje. Pra, planin që do ta siguronte zgjedhjen e një njeriu të besimit për kryetar shteti. Plan i cili natyrisht se ka shumë gjasa realizimi, ngase PDK-ja mund të bëhet pjesë e kombinimit qeverisës – përkrahja për rishikimin e buxhetit, që edhe mund të thuhet se bëhet për popullin, në fakt bëhet për të ardhmen e PDK-së në skenën politike të Kosovës.

* * *

Kosova ende nuk ka dalë nga vala e parë e infeksionit me COVID. Aq jemi të futur thellë në të, saqë krejt shtetet na i kanë mbyllur kufijtë pos Shqipërisë e Malit të Zi, që na duan për turizëm, dhe Maqedonisë që na do për tregti. Askush tjetër nuk na do – për më tepër edhe nga diaspora kanë ardhur në numër katërfish më të vogël për shkak se duhen të karantinohen në shtetet nga vijnë, veç pse vijnë me na pa.

Dhe në gjithë këtë krizë shëndetësore që po e përjetojmë, ku madje edhe mënyra se si komunikohet numri i të vdekurve është dehumanizuar plotësisht, ne ende çajmë dërrasa me pallavra në Kuvend. Ende vazhdojmë të shikojmë shfaqjet më të shtrenjta në botë, ku i gjithë debati për neve dhe jetën tonë reduktohet në ofendime dhe fyerje. Kaq dimë.

flaka@koha.net

Related Articles

Back to top button
Close
Close