
“Po ta them troç: Do të mbahesh në mend si një grua që hyri në Presidencë me 100 kilogramë e do të dalë nga aty me 50 kilogramë”, ishte deklarata e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, drejtuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila ngjalli reagime të shumta nga strukturat politike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kjo deklaratë e Ganimete Musliut, erdhi pasi Presidentja Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës tha se nuk do të zmbrapset edhe atëherë kur do ta sulmojnë për pamjen e saj.
Deputetja nga radhët e PDK-së, u arsyetua me faktin se ka qenë vetë Osmani ajo që përmendi pamjen e jashtme në fjalim, e ndërsa vazhdoi më tej duke e pyetur se “A nuk është zmbrapsje ikja dhe operimi i lukthit në Turqi? Dhe atë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Deklaratën për kilogramët e presidentes, Presidenca i quajti deklarata të neveritshme e të turpshme.
“E neveritshme dhe e turpshme deklarata e deputetes Musliu. Ne mungese te ideve politike, ajo perdore gjuhe denigruese dhe seksiste. Nese PDK e grupi i saj parlamentar pretendojne se jane reformuar duhet te distancohet nga kjo gjuhe. Perndryshe heshtja e tyre nenkupton miratim”, shkroi Vela.
“Të papranueshme dhe skandaloze” e quajti gjuhën e përdorur nga Musliu edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa tha se deputetja e PDK-së nuk e kishte për herë të parë një gjë të tillë.
Gjuhën e përdorur nga Musliu për peshën e Vjosa Osmanit e dënoi edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Kur marrja bëhet ftyrë”, ka shkruar shkurt kryediplomatja kosovare.
“Klogramë për kilogramë, ti dhe partia jote jeni majmur duke e shfrytëzu Kosovën si plaçkë lufte”, ishte përgjigjja e Faton Pecit për Ganimete Musliun.
Ministri i Bujqësisë, njëherit bashkëkryetari i “GUXO” i tha Musliut se partia e deputetes në fjalë kur kanë hyrë në pushtet as biçikleta nuk kanë pasur, ndërsa siç thotë ai tani vozisin veturat e trendit të fundit që shihen vetëm në TV.
“Struktura e mendimit të deputetes Musliu, e shprehur sot si kinse reagim ndaj fjalimit të presidentes, nga ana socio kulturore tipizon mjaft mirë rrënjën e mendimit, sjelljes e veprimeve që kanë ndodhur në të kaluarën në pushtet e që qytetari i vendit, u tregoi vendin me votën e 14 shkurtit”, tha Statovci.
Theksojmë se fjalimi vjetor i presidentes Osmani, u bojkotua dy partitë opozitare, PDK dhe AAK.
Sipas PDK-së, ky fjalim i presidentes është tjetër spektakël i pushtetit.
“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes”, u tha në njoftim.
Ndërsa nga AAK thanë se Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit.
“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e kësaj partie.
Por, ndryshe veproi LDK e Lumir Abdixhikut, pasi ata qëndruan në sallën e Kuvendit, mirëpo me të përfunduar fjalimin e saj presidentja Osmani, grupi paralamentar i kësaj partie, ndryshe nga të pranishmit tjerë, nuk duartrokiti e nuk lëvizi vendi për ish-bashkëpartiaken e tyre./Reporteri.net/



