
Barcelona ka njoftuar se ka siguruar 105 milionë euro përmes emetimit të obligacioneve me afat maturimi deri në tetor të vitit 2036 dhe me një normë fikse interesi prej 5.14%.
Sipas klubit katalanas, operacioni ngjalli interes të madh te investitorët ndërkombëtarë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Kërkesa ishte më shumë se dyfishi i shumës së ofruar, ndërsa e gjithë emetimi u shit në më pak se dy orë te investitorë institucionalë amerikanë, përfshirë kompani sigurimesh, fonde investimi dhe fonde pensionesh.
Barcelona e konsideron këtë rezultat si një shenjë të besimit të tregjeve financiare ndaj projektit dhe strategjisë së saj ekonomike. Klubi thekson gjithashtu se kostoja e financimit është përmirësuar, duke reflektuar një perceptim më të mirë të rrezikut nga investitorët.
Fondet e siguruara do të përdoren për të forcuar likuiditetin e klubit dhe për të mbështetur zhvillimin e planit strategjik, me synimin për të garantuar rritje dhe stabilitet financiar në vitet e ardhshme.
Procesi i emetimit u drejtua nga banka amerikane Goldman Sachs, e cila veproi si organizatore dhe agjente e shitjes së obligacioneve.



