
Ka nisur asfaltimi i rrugës Strugë–Morovishtë, e njohur si Kolektori Lindor, një projekt infrastrukturor që synon të përmirësojë qarkullimin dhe të lehtësojë hyrjen në qytetin e Strugës.
Sipas Komunës së Strugës, projekti, i cili për vite me radhë kishte mbetur vetëm në nivel premtimesh, tashmë po realizohet në terren. Autoritetet lokale vlerësojnë se ndërtimi i këtij aksi do të ndikojë në uljen e kolonave të automjeteve dhe përmirësimin e komunikacionit, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Rruga do të ndërtohet me katër korsi qarkullimi, brez të gjelbër ndarës, trotuare dhe hapësira të gjelbra, duke krijuar një hyrje më funksionale dhe moderne për qytetin.
Komuna njofton se, krahas investimit të Ministrisë së Transportit, po financon edhe punimet për rrjetin e ujësjellësit, zëvendësimin e gypave të azbestit, ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe vendosjen e ndriçimit publik, me qëllim kompletimin e infrastrukturës.
Kryetari i Komunës së Strugës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe pronarët e parcelave që, sipas tij, kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.
“Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve. Falënderoj secilin që kontribuoi dhe na mundësoi që sot të jemi këtu, duke parë punë konkrete në terren. Së bashku po ndërtojmë një Strugë më moderne dhe më funksionale”, tha Mendi Qyra



