
Kur nuk ka energji, nuk ka përparim, nuk ka të ardhme, me këtë mesazh audio-vizual në Filarmoninë e Maqedonisë filloi Forumi i 14-të ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm të energjisë (IFESD-14).
Në forumin e titulluar “Nga qëllime drejt aksionit: Duke i dhënë së ardhmes energji të qëndrueshme”, që e organizon Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) në bashkëpunim me Zyrën e Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara UNDP dhe pesë komisionet rajonale të Kombeve të Bashkuara (UNECE, UNESCAP, UNECLAC, UNECA dhe UNESCëA), janë paralajmëruar mbi 600 pjesëmarrës nga 70 vende, qeveri dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, bankave, komunitetit akademik, sektorit privat dhe organizatave të shoqërisë civile.
Mbi 150 ekspertë do të debatojnë në 35 seanca panelesh.
Qëllimi i forumit tre-ditor është të kalojë nga objektivat globale në veprime konkrete – me hapa të qartë për të diversifikuar burimet, për të përshpejtuar investimet në burimet e rinovueshme dhe për të zhvilluar bashkëpunimin rajonal për stabilitetin energjetik.
Në hapjen e forumit do të flasin kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, Tatiana Molçan, sekretare ekzekutive e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), dhe Armen Grigorian, përfaqësues i përhershëm i Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Forumi IFESD-14 në Shkup do të ndërlidhet me rezultatet e edicionit të vitit të kaluar, i cili u mbajt në Bangkok, me qëllim ofrimin e një platforme për veprime dhe politika konkrete që do të përshpejtojnë një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë.
Në kuadër të forumit, do të nënshkruhet “Deklarata e Shkupit” – një dokument që do të mbetet si një dokument i rëndësishëm i përhershëm i angazhimeve të vendeve pjesëmarrëse drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse energjetike. Me këtë, thekson MEMBM, vendi forcon pozicionin e tij në hartën botërore të energjisë si një partner i barabartë dhe i besueshëm në tranzicionin global.



