LajmeMaqedoniTopLajm

Filipçe: Shtylla e dytë pensionale është e rrezikuar, nuk ka para në buxhet, do të shpenzohen kursimet? .

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, shprehu shqetësim për shkak të deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me shtyllën e dytë pensionale, duke vlerësuar se ato kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri tek qytetarët që prej vitesh ndajnë mjete për të ardhmen e tyre pensionale.

Në konferencën për shtyp të sotme, Filipçe theksoi se qëndrimet kontradiktore të kryeministrit hapin dilema serioze për të ardhmen e sistemit pensional dhe kërkoi nga Qeveria të përgjigjet qartë nëse shtylla e dytë është e rrezikuar dhe nëse, për shkak të mungesës së mjeteve në buxhet, ekziston synim për të ndërhyrë në kursimet e qytetarëve.

„Shumë njerëz janë të frikësuar dhe të shqetësuar nga deklarata e kryeministrit se shumë do të zhgënjehen nga ajo që do të sjellë shtylla e dytë pensionale. Madje tha se i vinte keq që ishte futur fare. Në vitin 2024 ai pohonte se sistemi pensional ishte stabil, ndërsa tani thotë se nuk e di çfarë rezultate do të japin pagesat në shtyllën e dytë“, tha Filipçe.

Sipas tij, qytetarët që paguajnë mjete në sigurimin pensional të financuar kapitalisht kanë të drejtë të kenë siguri dhe përgjigje të qarta për kursimet e tyre.

„Shtrohet pyetja nëse kryeministri ka ndërmend, përmes mekanizmave shtetërorë, të ndërhyjë në mjetet që njerëzit i paguajnë për pensionin e tyre dhe në këtë mënyrë t’i dëmtojë. Njerëzit pyesin nëse do t’i marrin mbrapsht ato para dhe çfarë fshihet pas këtyre deklaratave“, theksoi lideri i LSDM-së.

Filipçe vlerësoi se në vend të sigurisë dhe kujdesit për pensionistët dhe të ardhmen e tyre, pushteti dërgon mesazhe që minojnë besimin në sistem dhe krijojnë pasiguri shtesë.

„Ky është edhe një goditje e rëndë ndaj qytetarëve. Shtrohet pyetja nëse kjo qeveri vërtet kujdeset për këtë kategori qytetarësh dhe nëse do të lejojë t’ua marrë shpresën për vite të qeta pensionale. Premtimet e rreme dhe hedhja e barrës mbi qytetarin e zakonshëm shkaktojnë dëm të madh ndaj qindra mijëra pensionistëve“, tha Filipçe. përcjell Zhurnal.mk .

Related Articles

Back to top button
Close
Close