
Debati për përparimin drejt Bashkimit Evropian sërish është intensifikuar, pasi raporti më i fundit i Parlamentit Evropian hapi një sërë pyetjesh për reformat dhe drejtimin politik të vendit. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerëson se dokumenti qartë tregon ngecje në proceset kyçe, raporton DW, transmeton Zhurnal.
Në konferencë për shtyp në Shkup, ai hodhi poshtë pretendimet se rruga evropiane e rrezikon identitetin kombëtar. Sipas tij, në vend të përparimit, shteti po përballet me vonesa që, siç theksoi, duhej të ishin kapërcyer prej kohësh.
Filipçe theksoi se raporti i Parlamentit Evropian i konfirmon paralajmërimet e LSDM-së për gjendjen në vend, duke nënvizuar se nuk ka reforma, nuk ka luftë kundër korrupsionit dhe nuk ka përparim në rrugën evropiane.
“Raporti i Parlamentit Evropian është i qartë, i ashpër dhe i paekuivok, dhe thotë se thjesht nuk kemi përparim në rrugën evropiane. Kryeministri flet hapur se nuk do të kemi, as nuk mund të presim nga ai dhe kjo qeveri ndonjë përparim në rrugën evropiane”, tha Filipçe.
Sipas tij, eurodeputetët shprehin shqetësim se sistemi gjyqësor, pavarësia e gjyqësorit, prokuroria, si dhe përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit nuk po avancojnë mjaftueshëm. Ata konstatojnë me shqetësim se nuk ka përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në shumë fusha, si dhe se ka dobësi të thella strukturore dhe trende negative në funksionimin e gjyqësorit, përfshirë financimin e pamjaftueshëm dhe mungesën e stafit, gjë që minon pavarësinë gjyqësore.
Filipçe kujtoi se LSDM prej muajsh paralajmëron për këto gjendje, ndërsa raporti tani i konfirmon.
Vërejtjet kryesore nga raporti dhe nevoja për reforma
“Raporti bën thirrje për përmbajtje urgjente nga ndërhyrja politike në gjyqësor dhe thekson rëndësinë e mbrojtjes së integritetit, përfshirë përmes forcimit të Këshillit Gjyqësor, sipas rekomandimeve të misionit të rishikimit kolegial të Komisionit të Venecias nga viti 2023”, tha Filipçe.
Ai u ndal edhe te Kodi Penal dhe politikat antikorrupsion, duke theksuar se nevojitet ligj i ri.
“Raporti i bën thirrje Qeverisë për zbatim më të mirë të Strategjisë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit. Gjithashtu, vërehet ndërhyrje e huaj, përfshirë përmes mediave nën ndikim hungarez që përhapin narrativë anti-evropiane”, tha ai.
Kritika ndaj Mickoskit dhe ngecja në rrugën evropiane
Filipçe vlerësoi se mesazhet janë të qarta. “Parlamenti Evropian qartë thotë se reformat nuk po zbatohen, ndërsa vullnet politik për të vazhduar rrugën evropiane thjesht nuk ekziston. Fajtor i vetëm për mungesën e përparimit në rrugën evropiane është Hristijan Mickoski dhe kjo qeveri”, tha lideri i LSDM-së.
Ai vlerësoi se tema e identitetit po përdoret për qëllime politike.
“Rruga evropiane po paraqitet si një kërcënim për identitetin tonë… kjo nuk është e vërtetë”, tha Filipçe. Ai u bëri apel qytetarëve të mos bien pre e kësaj retorike, sepse ajo çon drejt izolimit dhe varfërisë.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian i respekton dallimet, identitetin dhe gjuhën, duke nënvizuar se po krijohet një perceptim i rremë te qytetarët.
Sipas tij, pushteti po krijon konflikte për të mbuluar mungesën e rezultateve. “Kur nuk ka rezultate… bëhet fushatë me konflikte dhe ndarje”, tha ai.



