BotaLajme

Euronews: Izraeli në bisedime me Sudanin Jugor për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza

Gjashtë persona të informuar me çështjen i konfirmuan agjencisë së lajmeve, AP, se bisedimet janë zhvilluar, megjithëse nuk është e qartë se në çfarë pike kanë arritur.

Izraeli thuhet se është në bisedime me Sudanin e Jugut lidhur me mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza në vendin e shkatërruar nga lufta në Afrikën Lindore, si pjesë e një përpjekjeje më të madhe nga Izraeli për të lehtësuar migrimin masiv nga territori i kthyer kryesisht në rrënoja nga ofensiva 22-mujore kundër “Hamasit”, raporton Euronews.

Gjashtë persona të informuar për çështjen konfirmuan agjencisë së lajmeve, AP, se bisedimet janë zhvilluar, megjithëse nuk është e qartë

se në çfarë pike kanë arritur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se dëshiron të realizojë vizionin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për zhvendosjen e pjesës më të madhe të popullsisë së Gazës nëpërmjet asaj që Netanyahu e quan “migrim vullnetar”.

Izraeli ka paraqitur propozime të ngjashme për zhvendosje me vende të tjera afrikane, përfshirë Sudanin dhe Somalinë.

Palestinezët, grupet e të drejtave dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare i kanë hedhur poshtë propozimet si një plan për dëbim me forcë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ministria e Jashtme e Izraelit nuk pranoi të komentojë dhe ministri i Jashtëm i Sudanit të Jugut nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me bisedimet.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ka theksuar se nuk komenton biseda diplomatike private.

Kundërshtimi ndaj zhvendosjes

Joe Szlavik, themeluesi i një firme amerikane lobimi që punon me Sudanin e Jugut, ka theksuar se për bisedimet u informua nga zyrtarët e Sudanit të Jugut.

Ai ka thënë se një delegacion izraelit planifikon të vizitojë vendin për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së kampeve për palestinezët.

Nuk është caktuar ende një datë e njohur për vizitën dhe Izraeli nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për konfirmim të vizitës. Szlavik ka theksuar se Izraeli ka të ngjarë të paguajë për kampet e improvizuara.

Edmund Yakani, i cili kryeson një grup të shoqërisë civile të Sudanit të Jugut, ka treguar se kishte folur edhe me zyrtarë të Sudanit të Jugut rreth bisedimeve.

Dy nga zyrtarët, të dy nga Egjipti, i kanë thënë AP-së se prej muajsh janë informuar për përpjekjet e Izraelit për të gjetur një vend për të pranuar palestinezët, duke përfshirë kontaktet me Sudanin e Jugut. Ata thanë se kanë lobuar në Sudanin e Jugut kundër pranimit të palestinezëve.

Egjipti është thellësisht kundër planeve për të transferuar palestinezët nga Gaza, me të cilën ndan një kufi, duke pasur frikë nga një fluks refugjatësh në territorin e vet.

Nga një zonë konflikti në një tjetër

Shumë palestinezë mund të shprehin vullnet të largohen përkohësisht nga Gaza për t’i shpëtuar luftës dhe një krize urie.

Por ata kanë refuzuar kategorikisht çdo zhvendosje të përhershme nga ajo që e shohin si pjesë integrale të atdheut të tyre kombëtar.

Ata kanë frikë se Izraeli nuk do t’i lejojë kurrë të kthehen dhe se largimi masiv do t’i lejonte Izraelit të aneksonte Gazën dhe të rivendoste kolonët hebraikë atje, siç është kërkuar nga ministrat e ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite.

Megjithatë, edhe ata palestinezë që duan të largohen me gjasë nuk duan të shkojnë në Sudanin e Jugut, ndër vendet më të paqëndrueshme dhe më të dalluara për konflikte.

Sudani i Jugut ka luftuar për të rimarrë veten nga lufta civile që shpërtheu pas pavarësisë, dhe e cila la të vdekur gati 400 mijë persona dhe zhyti zona të vendit në uri.

Vendi i pasur me naftë është pllakosur nga korrupsioni dhe mbështetet tek ndihmat ndërkombëtare për ushqimin e 11 milionë njerëzve, një sfidë që është rritur edhe më shumë  pasi administrata Trump bëri shkurtime të mëdha të ndihmës së huaj.

Marrëveshja e paqes, arritur shtatë vjet më parë, është e brishtë dhe kërcënimi i luftës u rikthye kur udhëheqësi kryesor i opozitës, Riek Machar, u dënua me arrest shtëpiak në fillim të këtij viti.

Palestinezët në veçanti mund të jenë të padëshiruar. Lufta e gjatë për pavarësi nga Sudani vuri përballë jugun kryesisht të krishterë dhe të ligsht kundër veriut kryesisht arab dhe mysliman.

Yakani, i grupit të shoqërisë civile, ka theksuar se sudanezët e Jugut do të duhet të dinë se kush po vjen dhe sa kohë planifikojnë të qëndrojnë, përndryshe mund të ketë armiqësi për shkak të “problemeve historike me myslimanët dhe arabët”.

“Sudani i Jugut nuk duhet të bëhet deponi grumbullimi për njerëzit”, ka theksuar ai. “Dhe nuk duhet të pranojë t’i marrë njerëzit si mjete negociuese për të përmirësuar marrëdhëniet”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Related Articles

Back to top button
Close
Close