
Mospërdorimi i emrit zyrtar të vendit nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjatë inaugurimit të saj shkaktoi reagime në mbarë Evropën dhe ankth të veçantë në radhët e Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (PPE), anëtare e së cilës është edhe VMRO-DPMNE vlerëson “Euractiv”.
Portali informativ i Brukselit thekson se gjërat kanë shkuar deri aty sa që as sekretari i përgjithshëm i PPE-së, Thanasis Bakolas, përndryshe deputet i Demokracisë së Re greke (ND), as që e ka uruar VMRO-DPMNE-në për fitoren në zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar dhe zgjedhjet parlamentare.
Për inaugurimin reagoi personalisht edhe kandidatja e PPE-së për zgjedhjet europiane dhe presidentja aktuale e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila paralajmëroi se për të vazhduar “rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE”, gjëja më e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut “të vazhdojë me reformat dhe me respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Kujtojmë se presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova gjatë inaugurimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit Republika e Maqedonisë së Veriut, por përmendi vetëm emrin Maqedoni.



