BotaLajme

Është lëkundur mbështetja republikane për Presidentin Trump

Sesioni i përbashkët i kësaj jave i të dyja dhomave të Kongresit u paraqit si shansi i fundit i Presidentit Donald Trump për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit edhe pse i pamundur të arrihej. Ai u mbështet për këtë në besnikërinë e vazhdueshme të Nënpresidentit Mike Pence, i cili kryesoi zyrtarisht procesin.

Kundërshtimet e republikanëve të kongresit mbi procesin e përcaktuar në kushtetutë të numërimit të votave elektorale që vërtetojnë se demokrati Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të pritshme, shktusn VOA.

Por trazirat e shkaktuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump dhe pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet ishin të manipuluara, shkaktuan çarje në murin e mbështetjes republikane për Presidentin Trump.

“Partia Republikane, për fat të keq, po i shërben kultit të individit. Të jesh republikan do të thotë të mbështesësh Presidentin Trump pa marrë parasysh se për çfarë”, thotë Chris Edelson, profesor në Universitetin Amerikan.

Por besnikëria e pashtershme e Nënpresidentit Mike Pence përfundoi të mërkurën, kur u tha mbështetësve atë që i tha Presidentit Trump një ditë më parë, se ai nuk gëzonte autoritet që të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.

Presidenti Trump e vazhdoi presionin ndaj Nënpresidentit Pence gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë disa orë para se të fillonte numërimi.

“Gjithçka që Nënpresidenti Pence duhet të bëjë është t’ua dërgojë përsëri shteteve për t’u çertifikuar dhe ne marrim presidentin dhe ju jeni njerëzit më të lumtur”, deklaroi Presidenti Trump përpara turmës.

Para se turma të hynte me forcë në Kapitol, udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell paralajmëroi kolegët e tij mbi rrezikun politik me të cilin përballeshin duke kundërshtuar.

“Kushtetuta na jep këtu në Kongres një rol të kufizuar. // Votuesit, gjykatat dhe shtetet kanë folur të gjitha. Të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ato, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë”, tha Senatori McConnell.

Senatori Josh Hawley nga Mizuri ishte i pari që kundërshtoi numërimin e votave elektorale.

Pasi turma u shpërnda dhe në Senat u rivendos rendi, Senatori Hawley nuk u zmbraps edhe pasi trazirat kishin forcuar vendosmërinë e demokratëve dhe disa republikanëve për të miratuar fitoren e zotit Biden.

“Për ata që thonë se kjo është thjesht një formalitet sot, një ceremoni antike në të cilën jemi angazhuar për disa qindra vjet, nuk mund të them se jam dakord. //… mundësia për t’u dëgjuar, për të regjistruar kundërshtime është shumë jetësore sepse ky është vendi ku ato kundërshtime duhen dëgjuar dhe trajtuar, debatuar dhe zgjidhur përfundimisht”, tha ai.

Senatori Mitt Romney, kandidati republikan për president në 2012, e vuri përpara përgjegjësisë senatorin e ri e të tjerë mbi mbështetjen e pretendimeve të pabazuara të Presidentit Trump për manipulim në zgjedhje.

“Asnjë hetim nga ana e kongresit nuk do t’i bindë kurrë këta votues, veçanërisht kur presidenti do të vazhdojë të thotë se zgjedhjet u vodhën. Mënyra më e mirë për të treguar respekt për votuesit e irrituar është duke u thënë atyre të vërtetën… Kjo është barra, kjo është detyra e udhëheqjes. E vërteta është se Presidenti i zgjedhur Biden fitoi zgjedhjet. Presidenti Trump humbi. Unë atë përvojë e kam pasur vetë. Nuk është argëtim”, tha ai.

Ndërsa i kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i mandatit, Presidenti Trump përballet me mundësinë e një votimi të dytë për shkarkim, i cili mund të detyrojë anëtarët e partisë së tij, që në një mënyrë a një tjetër të ketë një qëndrim mbi këtë çështje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close