
“Megjithë investimet në këto rajone, qytetarët shkatërrojnë pajisjet dhe lidhen ilegalisht në rrjet, gjë që është krim. Vjedhja e energjisë elektrike në këto lagje është mbi 50 për qind. Vetëm në gjashtë muajt e fundit janë regjistruar mbi 100 denoncime për vjedhje në prani të MPB-së. Si rezultat i këtyre investimeve, disa konsumatorë tani për herë të parë marrin lexime të sakta të rrymës së harxhuar”, thanë nga Elektroshpërndarësi, në pyetjen për të komentuar për protestat e qytetarëve nga Haraçina dhe Hasanbegu të cilët janë të pakënaqur me faturat e tyre.
Siç theksojnë ata, matësit i lexojnë çdo muaj, ndonëse sipas Rregullave të Furnizimit, kompania ka detyrim ligjor që t’i lexojë një herë në tre muaj.
“Përqindja e leximit të njehsorëve në baza mujore është rreth 85 për qind dhe kjo përqindje rritet në 95 për qind vetëm brenda tre muajve. Këtë vit, numri i kërkesave për korrigjim të bilanceve të raportuara në periudhën dhjetor të vitit 2024 deri në janar 2025 është 20 për qind më i ulët se në periudhën dhjetor 2023 deri në janar 2024. Vetëm 15 për qind e kërkesave për korrigjim janë arsyetuar dhe për to janë korrigjuar faturat”, saktësojnë nga Elektroshpërndarësi.
Qytetarët e Haraçinës dhe Hasanbegut të organizuar përmes rrjeteve sociale kanë protestuar sot për të shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e larta të energjisë elektrike.



